Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Malisheva me 65 të punësuar me kontrata mbi vepër

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Komunën e Malishevës janë angazhuar 65 persona me kontrata mbi vepër.

Por në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet që në kontrata nuk ishte e specifikuar se në cilën bazë ligjore ishin thirrur gjatë hartimit të kontratave. Prej tyre 53 persona të njëjtë ishin angazhuar dy herë brenda vitit.

“Pra në një farë forme këto kontrata vetëm ishin vazhduar”, theksohet në raport.

Po ashtu, për këto angazhime nuk ishte zhvilluar ndonjë procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe mungonin kërkesat apo arsyetimet për nevojën e angazhimit të punonjësve përmes kësaj forme të punësimit. Auditori ka vërejtur se angazhimet ishin kryesisht për pozita të rregullta.

Komuna u kishte paguar kontributet pensionale për këta punonjës, por meqenëse këta kontraktues të shërbimeve nuk janë punonjës të rregullt dhe nuk janë të përfshirë në listën e pagave, Komuna me rastin e pagesës së kompensimit mujor, nuk u kishte ndalur kontributin e paguar në emër të punëdhënësit prej 5%.

“Në këtë rast, kostoja mujore e pagesës për personin e angazhuar i kishte kushtuar komunës 5% më tepër se sa shuma e përcaktuar me MSHV në mes Komunës dhe kontraktuesit”, vazhdon raporti i auditimit.

Sipas Auditorit, angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit dhe pa e specifikuar se në cilën bazë ligjore janë këto kontrata krijon konfuzion rreth afateve të lejuar të tyre dhe rritë rrezikun që angazhimet të mos jenë të duhura. Auditori ka konstatuar se pagesa prej 5% nga kompensimi i përcaktuar me MSHV i ka shkaktuar Komunës kosto shtesë buxhetore.

“Kryetari duhet të sigurojë aplikimin e procedurave formale të rekrutimit për punët që konsiderohen të realizohen përmes MSHV, duke mos tejkaluar afatet ligjore. Po ashtu, duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor me qëllim që këto të mos mbulohen me MSHV. Pagesat për shërbimet e tilla nuk duhet të tejkalojnë në total vlerën e kompensimit mujor të përcaktuar me MSHV”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.