Foto: REL/Shutterstock

Mali i Zi Druan nga Hakerët Rusë

Në prag të zgjedhjeve presidenciale më 15 prill, ky vend po merr masa për një tjetër valë sulmesh.

Mali i Zi dhe vendet e tjera në Ballkan frikësohen se ndërhyrja e Moskës do të shtrijë edhe më shumë ndikimin e saj atje.

Zyrtarët në Podgoricë druajnë se vendi i tyre është veçanërisht i cenueshëm, pasi fituesi i zgjedhjeve presidenciale ka gjasa ta udhëheqë Malin e Zi drejt negociatave të hershme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian – një veprim që Kremlini e kundërshton fuqishëm.

Bashkimi Evropian, së voni, ka hartuar strategjinë e re të zgjerimit që parashikon anëtarësimin e Malit të Zi në bllok deri në vitin 2025.

“Po bëjmë gjithçka të mundur për të qenë të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Millica Jankoviq, shefe e Drejtorisë për Administrimin Elektronik dhe Sigurinë e Informacionit pranë Ministrisë së Administratës Publike në Mal të Zi.

“Po bëjmë monitorime të vazhdueshme dhe po përpiqemi t’i njohim sulmet dhe t’i parashikojmë përpara se të ndodhin”, thotë Jankoviq për Radion Evropa e Lirë.

Rritja e sulmeve kibernetike, të cilat analistët e sigurisë i lidhin me Rusinë, ka përkuar me fazën finale të negociatave të Malit të Zi për anëtarësim në NATO, në fund të vitit 2016.

Jankoviq tha se në vitin 2017 janë regjistruar rreth 700 sulme kibernetike.

Udhëheqësit e Malit të Zi po ashtu thonë se Moska ka bërë përpjekje të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme në këtë vend më 2016. Zyrtarët rusë i mohojnë akuzat. Por, autoritetet malazeze dhe partitë në pushtet thonë se Rusia ka sponsorizuar edhe një përpjekje për grushtshtet në ditën e këtyre zgjedhjeve.

“Sulmet me sfond politik zakonisht ndodhin në organizimin e shteteve. Programet keqdashëse që shpërndahen në shërbimet e shteteve janë armët më masive që i përdorin shtetet për të ndjekur qëllimet e tyre politike”, thotë Adis Balota, dekan i Fakultetit të Teknologjisë Informative në Universitetin e Mesdheut në Podgoricë.

Qeveria e Malit të Zi nuk e ka akuzuar direkt Rusinë për sulmet kibernetike.

Por, firma të sigurisë teknologjike si FirstEye dhe Trend Micro thonë se kanë parë prova që i lidhin shumë sulme me APT28-shin, një grup i hakerëve rusë, i njohur edhe si “Fancy Bear”. Këtë grup, shërbimet e inteligjencës amerikane dhe analistët privatë të sigurisë kibernetike e kanë lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

“Fancy Bear” është akuzuar për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulme kibernetike në NATO, në Shtëpinë e Bardhë dhe në disa institucione qeveritare të Gjermanisë.

Agjencia e BE-së për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit ka thënë se infrastruktura malazeze është vënë në shënjestër nga “Fancy Bear”.

“Rusia me gjasë do të vazhdojë të përdorë aftësitë kibernetike për të minuar integrimin e qetë të Malit të Zi në aleancë”, ka thënë Tony Cole, nënpresident dhe shef i teknologjisë për qeverinë globale në FireEye.

Mali i Zi është bërë vitin e kaluar anëtari i 29-të i NATO-s. Ky hap është kritikuar fuqishëm nga Moska dhe është kundërshtuar nga disa malazezë që favorizojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, i cili mbikëqyr forcat ushtarake amerikane në Evropë, ka thënë se zona që e shqetëson sot, është Ballkani.

“Rusia ka punë në Ballkan dhe unë mendoj se ne i kemi larguar disi sytë nga kjo zonë”, ka thënë Scaparrotti para një komiteti të Senatit më 8 mars.

“Kjo është një fushë në të cilën mund të kemi probleme në të ardhmen”, ka thënë ai.

Kremlini ka mohuar fuqishëm çdo rol në sulmet mbi qeveritë, mediat ose zgjedhjet në gjithë botën.

Edhe pse fushata për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi nuk ka nisur ende, analistët thonë se nëse Moska do të kishte kandidat të preferuar, ai do të ishte Mlladen Bojaniq.

Bojaniq është ish-deputet dhe aktivist i të drejtave civile, i cili ka kundërshtuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka mbështetjen e aleancës më të fuqishme opozitare – Frontit Demokratik – subjekt pro-rus.

Ai pritet të kandidojë kundër ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq.

Gjukanoviq, i cili ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, ka udhëhequr Malin e Zi për më shumë se një çerek shekulli, përpara se të tërhiqej nga politika, pasi Partia e tij Demokratike e Socialistëve ka fituar zgjedhjet e përgjithshme më 2016.