Milo Djukanoviç. Foto- Qeveria Malazeze

Mali i Zi proteston për dorëheqjen e liderëve ‘të korruptuar’

Aktivistë të të drejtave të njeriut të mbështetur nga partitë opozitare do të organizojnë një protestë duke kërkuar dorëheqjen e liderëve kryesorë të vendit dhe fokusimin te korrupsioni në radhët e tyre.

Organizatorët kanë lajmëruar se një tubim me “qytetarë të pakënaqur” do të zhvillohen të shtunën në kryeqytetin malazez, Podgoricë, ku protestuesit do të kërkojnë dorëheqjet e presidentit dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar, ndër të tjera.

Grupi informal i intelektualëve, akademikëve, aktivistëve të OJQ-ve dhe gazetarëve thonë se presin që mijëra njerëz t’i bashkohen protestës.

Ata akuzojnë udhëheqësin e “përjetshëm” të vendit, presidentin Milo Djukanoviç, i cili ka mbajtur pushtetin për pothuajse 30 vjet, se ka kryesuar varfërinë, humbjen e të drejtave të njeriut dhe liritë e mediat, si edhe është përgjegjës për korrupsionin sistematik në vend.

Ata kërkojnë dorëheqjen e Djukanoviçit, por edhe të Prokurorit të Lartë të Shtetit, Ivica Stankoviç dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar Milivoje Katniç.

Ata akuzojnë zyrtarët e lartë të ligjit se shpërfillin provat dhe nuk gjykojnë korrupsionin e dukshëm në radhët e brendshëm të qarkut të Djukanoviçit.

“Ne po presim gjykime për mashtrime zgjedhore, blerje votash, pastrim parash dhe skandale korrupsioni,” thanë organizatorët në një njoftim për shtyp.

Protesta do të organizohet ndërsa autoritetet e Malit të Zi përballen me një nga sfidat më të vështira politike në vite.

Kjo vjen pas zbulimit të pamjeve dhe dokumenteve që duket se implikojnë zyrtarët e lartë në marrje fondesh të dyshimta për Partinë qeverisëse Demokratike të Socialistëve, DPS, të kryesuar nga Djukanoviç.

Në mes të janarit, u shfaq një filmim në të cilin Dushko Knezeviç, kryetar i Grupit Atlas me bazë në Mal të Zi, i jepte kryetarit të atëhershëm të Podgoricës, Slavoljub Stijepoviç, një zarf në të cilin Knezeviç më vonë tha se kishte 100,000 dollarë për të financuar një fushatë zgjedhore të DPS.

Knezeviç, i cili besohet të jetë në Londër, tha për meduiat se i kishte siguruar para të thata DPS-së për 25 vitet e fundit.

Disa e panë këtë si konfirmimin e parë konkret të diçkaje që ka qenë prej kohësh një sekret i hapur në Mal të Zi.

DPS dhe Djukanoviç e kanë mohuar këtë, duke këmbëngulur se të gjitha donacionet e partisë janë të regjistruara në regjistrat financiarë të partisë.

Që nga ajo kohë, autoritetet i janë vënë nga pas Knezeviçit, i cili deri vonë ka qenë njeri i afërt i elitës qeverisëse, i cili tani përballet me akuza për pastrim parash.

Një tjetër video e Knezeviçit u publikua në fund të janarit dhe shkurt ku tregohej një zyrtar i lartë të bankës qendrore që kërkonte ryshfet për të mos dërguar inspektorët në një nga bankat e Knezeviçit.

Knezeviç gjithashtu ka publikuar dokumente duke pretenduar se ato dëshmojnë se ai ka ndihmuar në financimin e udhëtimeve luksoze të Djukanoviçit jashtë vendit në hotele me pesë yje dhe mbulimin e shpenzimeve të tij personale.

Organizatorët e protestës gjithashtu thanë se qëllimi është të luftojë “amnezinë kolektive” në vend pasi shumë çështje të tjera korrupsioni kanë kaluar pa u gjykuar.

Mali i Zi, një vend anëtar i NATO-s që nga korriku 2017 dhe një kandidat për anëtarësim në BE, shpesh akuzohet se nuk bën mjaftueshëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Brukseli ka kërkuar rezultate më konkrete në luftën kundër korrupsionit në një nivel të lartë politik si një nga kushtet kryesore për të bërë progres drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë viteve të fundit, ka pasur shumë spekulime rreth sasisë dhe burimit të pasurisë personale të Djukanoviçit.

Në vitin 2010, gazeta britanike Independent e vendosi atë në listën e 20 politikanëve më të pasur në botë.

Një vit më parë, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues, ICIJ, e vlerësoi pasurinë e tij në 14.7 milionë dollarë amerikanë. Ai mohon shumicën e pretendimeve për pasurinë e tij.