Kryeministri malazez, Dushko Markoviç - Foto: EPA-EFE

Mali i Zi kërcënon me penalitete për përkujtimoret çetnike

Kryeministri malazez Dushko Markoviq njoftoi ndryshimin e ligjit penal për të parandaluar mbajtjen e eventeve përkujtimore për njerëzit e dënuar për krime lufte.

Ky veprim vjen pasi Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi mbajti një meshë për liderin çetnik Dragulub ‘Drazha’ Mihailoviq të kohës së Luftës së Dytë Botërore në qytetin e Herceg Novit më 17 korrik për të shënuar 72 vjetorin e vdekjes së tij.

Duke iu drejtuar parlamentit të mërkurën, Markoviq tha se klerikët nga Mitropolia dhe visi bregdetar i Malit të Zi, që është pjesë e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, mbajtën një meshë për një kriminel lufte dhe bashkëpunëtor të okupatorëve nazistë të Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo është e papranueshme dhe ajo ofendon ndjenjat e atyre njerëzve që kanë ndërtuar shtetin për shekuj me radhë, sidomos atyre që janë të përkushtuar ndaj vlerave antifashiste të botës demokratike në tërësi,” tha Markoviq.

“Ne do të ndryshojmë ligjet dhe dikush do të mbahet përgjegjës për këtë,” shtoi ai.

Përveç meshës së mbajtur nga Kisha Ortodokse për Drazha Mihailoviqin, eventi i 17 korrikut shënoi njëqind vjetorin e vdekjes së familjes mbretërore ruse Romanov, të vrarë nga bolshevikët në vitin 1918 dhe përfshiu një promovim për një libër mbi marrëdhëniet midis rajonit Boka Bay të Malit të Zi dhe Rusisë.

E gjithë ngjarja u organizua nga një organizatë lokale e quajtur Srpski Soko (Shqiponja Serbe).

Mihailoviq ishte udhëheqësi i parë jugosllav i kryengritjes popullore kundër pushtimit gjerman në vitin 1941 dhe u bë shpejt gjeneral dhe ministër i luftës nga qeveria mbretërore në mërgim në Londër.

Nga fundi i 1942, Mihailoviq ishte i bindur se komunizmi paraqiste një kërcënim më afatgjatë për Jugosllavinë sesa pushtimi i Boshtit nazist, dhe kërkoi t’i ruante forcat e tij për një përballje me partizanët e Josip Broz Titos.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore forcat e tij, të njohura edhe si çetnikët, u akuzuan për krime lufte dhe mizori të tjera.

Pasi komunistët e Titos morën pushtetin në Jugosllavi, ata e përndoqën Mihailoviqin dhe e nxorën atë para gjyqit në Beograd në vitin 1946. Ai u akuzua për bashkëpunim me Forcat e Boshtit dhe se kishte negociuar një armëpushim midis forcave të tij dhe ato të Gjermanisë.

Ai u shpall fajtor dhe u qëllua dy ditë më vonë. Trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Por në vitin 2015, Gjykata e Lartë e Beogradit e rehabilitoi Mihailoviqin, duke anuluar vendimin e periudhës komuniste që nga viti 1946.

Gjykata e Beogradit vendosi që gjyqi i Mihailoviqit pas Luftës së Dytë Botërore ishte “politik dhe ideologjik” dhe kishte gabime serioze ligjore.