Mali i Zi Gati ta Miratojë Demarkacionin me Kosovën

Një komision parlamentar i Malit të Zi mbështeti sot konfirmimin e marrëveshjes për kufirin me Kosovën ndërsa votimi i marrëveshjes në Kuvend mund të bëhet para fundit të këtij viti.

Pas kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme pritet që të fillojë procesin dyvjeçar të shënjimit të vijës kufitare me Kosovën.

Marrëveshja e arritur gjatë gushtit në Vjenë u miratua sot nga Komisioni Parlamentar të Legjislacion.

Deputetët anëtarë të Komisionit mbështetën marrëveshjen pa asnjë votë kundër dhe i rekomanduan Parlamentit që ta miratojë atë në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi.

Partitë opozitare në Kosovë janë duke protestuar zëshëm kundër marrëveshjes tash e disa muaj, dhe po e akuzojnë qeverinë e Kosovës se po i falë Malit të Zi territorin e Kosovës.

Ato po kërkojnë anulimin e marrëveshjes duke thënë se kufiri me Malin e Zi i vendosur në vitin 1974 me kushtetutë duhet të pranohet sërish nga të dy vendet.

Por të hënën Departamenti Amerikan i Shtetit tha se pasi ka rishikuar hartat që nga viti 1940 der më sot, përfshirë edhe ato të përdorura nga komisioni për demarkacion të kufirit, e ka parë qartë se vija kufitare e pajtuar mes dy vendeve është shumë e afërt me atë të vitit 1974.

“Kufijtë të cilët i kemi vizatuar që nga viti 2008 përputhen me kufijtë e propozuar në vitin 2015”, tha Departamenti i Shtetit.