Mal me Ankesa nga Pacientët, Ministri Premton Komunikim më të Mirë

Mosgjetja e mjekut në vendin e punës gjatë orarit zyrtar, sjelljet joprofesionale nga ana e stafit mjekësor, mostrajtimi në institucione publike, mungesa e mjeteve për intervenim e deri te shpenzimet e mëdha financiare për trajtim në spitale publike të Kosovës janë ankesat e zakonshme të qytetarëve.

Ismet Maloku nga Podujeva i cili ka shkuar në QKUK me një të afërm të tij, tregon se ka qenë dëshmitar i një rasti kur mjeku ka filluar të bërtasë e të shahet në sy të gjithë pacientëve.

“Ai në vend se me ardhë me i qetësu pacientët se këta janë me muaj këtu, erdhi nga atje e hyri brenda duke sharë edhe 10 apo 15 minuta tjera, mua më erdhi shumë çudi”, tha ai.

E plaku Ahmet Hasani nga Komuna e Vitisë thotë se trajtimi nuk është i mirë sepse mungojnë kushtet për punë.

“Çka kanë me të trajtu kur s’kanë kurgjo në dorë. Asgjë nuk merr pa e blerë me të holla”, tha ai.

Por jo të gjithë kanë kritika.

Bashkim Haziri nga komuna e Vitisë që ka ardhur në QKUK për shkak të djali të tij i cili po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale thotë se trajtimi në këtë Klinikë është shumë i mirë.

“Po vijnë mjekët po tregojnë mirë është, po ia përcjellin gjendjen shumë mirë. Unë jam i kënaqur për që flasin njerëzit unë për vetë jam i kënaqur. Barnat i kam blerë disa vetë, këtu jo por ato që i kam sjellë nga Gjilani i kam blerë vetë”, tha ai.

Për punë të mirë në këtë Klinikë, Emisioni Jeta në Kosovë ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.

E kënaqur është edhe Xhevë Morina nga komuna e Malishevës e cila po qëndron në QKUK që nga e shtuna me djalin e saj.

“Mirë po thonë, mirë po kqyrin, po thonë si fmijtë e tonë kemi me e kqyrë”, thotë ajo.

Hallet e pacientëve dhe të drejtat e tyre janë diskutuar sot në ditën e dytë të një konference në Prishtinë, e cila është organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) në bashkëpunim me misionin e UNDP-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Besim Kodra nga Shoqata për te Drejtat e Pacientëve në Kosovë tha për KALLXO.com se përvoja më e mirë e dëgjuar në këtë konferencë është ajo e Kroacisë ku avokati i pacientit do të ishte një institucion shtetëror në mbrojtje të tyre.

“Ne ishim shteti që në Ballkan më mirë se të gjitha shtetet tjera e kishim të rregulluar çështjen e dëmit të shkaktuar ndaj pacientëve me ligjin e vitit 2004 mirëpo ai ligj nuk është zbatuar asnjëherë”, tha Kodra.

Në ditën e parë të konferencës, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka thënë se kjo ministri ka krijuar edhe mekanizma lehtësues për sigurimin e të drejtave të pacientëve, forma të reja të komunikimit me ta dhe me përfaqësuesit e tyre ndërsa, sipas tij, po angazhohet të rrisë edhe kapacitetet inspektuese dhe monitoruese.

“Kjo do të mundësojë të rritet transparenca  dhe të zhvillohet një komunikim më i mirë me qëllim që pacientët të jenë të kyçur edhe në vendimmarrjen dhe hartimin e politikave në shëndetësi”, tha ministri Rrahmani.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për problemet nga fusha e shëndetësisë, ndërsa në korrik të këtij viti është raportuar për rastin kur një fëmije i është refuzuar trajtimi jashtë vendit dhe komunikimi i mjekut me prindërit ka qenë i mangët.

‘Nuk Mbijeton’: Fëmijës i Refuzohet Trajtimi Jashtë Vendit

Vitin e kaluar në Klinikën e Gjinekologjisë është raportuar për një rast kur pacientja ia ka lënduar dorën Mjekes

http://kallxo.com/pacarada-edhe-mjeket-pesojne-nga-pacientet/

Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar emisioni Jeta në Kosovë ka shfaqur emisionin “Të mirat dhe të këqijat e QKUK-së” ku është trajtuar edhe komunikimi i mangët i mjekut me pacientë.

Jeta në Kosovë: Të mirat dhe të këqijat e QKUK-së