LVV: Tre Vjet të Vendimit që Institucionalizoi Krizën

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një komunikate ka kujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me grupin parlamentar, vendim që sipas këtij subjeti i ka bërë sot tre vjet.

Aktgjykimin me numër KO 119/14 me të cilin e vendos që zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ta bëjë grupi më i madh parlamentar i regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Vetëvendosja në reagimin e saj e konsideroi me pasoja tragjike për Kosovën.

Për Vetëvendosjen ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese vendosi të institucionalizohet kriza.

Aktgjykimin Vetëvendosja e cilësoi instrument në dorë të PDK-së.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese u ndërmorr në një periudhë kur vendi ishte fare pranë çlirimit prej kapjes së shtetit nga ana e PDK-së. Dhe siç po shihet, edhe tre vjet më vonë, ky vendim është kryekëput instrument në dorë të PDK-së”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, gjyqtarët që morën këtë vendim ishin të anshëm.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë një vendim i padrejtë, i marrë prej gjyqtarësh të anshëm, të cilët madje pikërisht gjatë mbledhjeve për të marrë atë vendim i zhdukën shënimet e mbajtura gjatë hartimit të Kushtetutës, pikërisht sepse në ato shënime shpjegohej saktë e qartë se si e rregullon Kushtetuta këtë çështje. Shënimet u gjetën vetëm disa muaj më vonë”, thotë Vetëvendosja.

Vendimin për grupin më të madh parlamentar Gjykata Kushtetuese e mori në kohën e krizës politike të vitit 2014 kur disa parti opozitare u bënë bashkë me qëllimin për t’ia pamundësuar PDK-së krijimin e qeverisë.

PDK-ja në zgjedhjet e atij viti kishte marrë më së shumti vota.

Edhe tash seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës po shtyhet vazhdimisht që nga 3 gushti, pasi Koalicioni PAN që në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të qershorit 2017 dhe me këtë vendim të Kushtetueses e ka të drejtën të paraqesë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit, ende nuk po e bën këtë.