Foto: Facebook

LVV: Strategjia Mbyll Sytë Para Problemeve që Shkakton Serbia

Një ditë pas publikimit të strategjisë europiane për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor, Lëvizja Vetëvendosje tregoi qëndrimin e saj për këtë strategji.

Ky subjekt politik vlerësoi se strategjia e BE-së mbyll sytë para pengesave që Serbia ua shkaktoi dhe shkakton vendeve në rajon.

“Strategjia i vendos këto shtete në një konkurrencë të pabarabartë me njëri-tjetrin, e cila i mbyll sytë para problemeve që ka shkaktuar e vazhdon të shkaktojë Serbia në rajon”, vlerëson VV-ja.

Subjekti i drejtuar nga Albin Kurti tregoi se për Kosovën nuk thuhet se çfarë do të përfitojë.

“Te strategjia në të cilën përmendet normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë theksohet se ‘Kosova do të përfitoj nga një marrëveshje definitive për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë’ por nuk thuhet se çka do të përfitojmë”, thuhet në analizimin e strategjisë.

Vetëvendosja vlerësoi se nuk dihet as çfarë nënkupton fjala normalizim.

“Sërish në asnjë rast nuk shpjegohet çfarë nënkupton fjala “normalizim” marrëdhëniesh me Serbinë, dhe kërkohet vazhdim i dialogut pa asnjë objektiv të shprehur qartë lidhur me njohjen e pavarësisë që Serbia duhet të bëjë ndaj Republikës së Kosovës”, analizon strategjinë VV-ja.

Lvv-ja përmend edhe kushtëzimin e Kosovës me Gjykatën Speciale.

“Ndaj Kosovës shtohet kushti i Gjykatës Speciale, një gjykatë e paprecedentë në këto dy shekuj, që e kthen përmbys konceptin e drejtësisë”, thuhet në analizën e strategjisë

Vetëvendosja konstatoi më tutje se edhe pse me disa elemente duket se BE-ja po e përgatit hyrjen në bllok të gjashtë shteteve në BE, këto gjashtë shtete sipas këtij subjekti politik janë ndarë në katër kategori.

“Duke lexuar strategjinë dhe duke ndjekur deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, bëhet e qartë për të gjithë se gjashtë shtetet e rajonit janë ndarë në 4 kategori”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Në kategorinë e parë sipas VV-së janë vendosur Serbia dhe Mali i Zi të cilave u tregohet se BE-ja mund t’ua hapë dyert në vitin 2025. Në kategorinë e dytë, Vetëvendosja thotë se BE-ja ka vendosur Shqipërinë e Maqedoninë, të cilave mund t’u jepet statusi i vendit kandidat.

Në kategorinë e tretë VV-ja thotë se është vendosur Bosnja e në të katërtën Kosova.

“Sa i takon Kosovës, strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal që diçka e tillë do të jetë e mundshme pa tejkaluar pengesat që Komisioni i quan pa të drejtë si ‘objektive’”, thuhet në analizën që LVV-ja i bën strategjisë europiane për zgjerim të publikuar dje.