LVV shpall zgjedhjet e brendshme për të gjithë ata që duan të kandidojnë për kryetarë të komunave

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryetarë komunash për zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021.

Në njoftimin e kësaj partie është bërë e ditur që të interesuarit mund të paraqesin deklaratën për kandidatura deri më datën 3 korrik.

“Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) njofton të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionin e kandidatit për Kryetar të Komunës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga data 1 korrik deri më 3 korrik 2021, ora 17:00”, thuhet në njoftim në facebook.

Tutje në njoftim janë bërë të ditura procedurat që do të ndiqen deri në shpalljen e kandidaturës.

“Pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm, Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës (KZAQ) dhe  KZP do të bëjnë verifikimin e tyre dhe do ta pajisë kandidatin/en me formularin e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës, ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet tutje aty.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor.