LVV: Policia Ka Shkelur Disa Nene të Ligjit për Policinë

 

Me veprimet e ndërmarra gjatë protestave të organizuara nga opozita, forcat blu kanë shkelur Ligjin për Policinë, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje, e cila sot ka shfaqur shqetësimin e saj përballë asaj që e ka quajtur “instrumentalizim të Policisë“.

Rexhep Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LVV-së, tha se ngjarjet si bastisjet e zyrave të opozitës në mënyrë ushtarake, arrestimet e paligjshme të deputetëve, etj., tregojnë se është shkelur Ligji për Policinë e Kosovës.

“Ne mendojmë se është shkelur neni 2, në veçanti paragrafi 1.3 dhe 1.2. Janë shkelur edhe nenet 10 dhe 13… Policia është e detyruar të jetë e paanshme sa i përket bindjeve dhe pikëpamjeve politike të personave”, tha Selimi.

Sipas tij, në nenin 13 ceket se zyrtari policor duhet t’i zbatojë urdhrat e ligjshëm dhe t’i refuzojë ata që janë të paligjshëm.

Selimi ka kërkuar nga eprorët policorë që mos të zbatojnë urdhra të paligjshëm, sepse të njëjtit po e shkelin nenin 13 të Ligjit për Policinë e Kosovës.

“Neni 13 që ka të bëjë me detyrat e zyrtarit policor për t’i zbatuar urdhrat e ligjshëm dhe për t’i refuzuar urdhrat e paligjshëm. Jo rrallëherë ky ligj është shkelur duke u ditur edhe nga ana e policisë se janë duke e shkelur këtë ligj”, u shpreh Selimi.

Problematikë tjetër sipas deputetit të Vetëvendosjes është edhe procesi i verifikimit të sigurisë për pjesëtarët e Policisë nga ana e Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë. Selimi u shpreh se Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kanë zbatuar Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

“Deri më tani asnjëherë nuk janë bërë të ditura se kush e ka kaluar dhe kush nuk e ka kaluar këtë verifikim të sigurisë në Policinë e Kosovës. Kjo nuk është bërë e ditur as nga Drejtoria e Përgjithshme as nga MPB. Asnjëherë nuk është bërë publik numri i pjesëtarëve të policisë të cilët nuk e kanë kaluar”, tha ai.

Ndërkaq, zyrtari tjetër i LVV-së, Shemsi Syla, tha se shqetësim i tyre i madh është instrumentalizimi i Policisë.

“Shqetësimi ynë më i madh është instrumentalizimi i Policisë. Pavarësisht veprimeve të shumta që kanë ndodhur, pavarësisht shkeljeve të shumta që kanë ndodhur, një instrumentalizim i tillë i kreut policor po vazhdon. Ai është kryekëput i drejtuar nga politika dhe po vazhdon edhe në përndjekjen e veprimtarëve, në përndjekjet e deputetëve dhe përndjekjet e opozitës si fuqi, e cila po argumenton një të vërtetë të madhe”, tha ai.

Ndryshe, në këtë konferencë është folur edhe për protestën e 17 shkurtit duke thënë se nuk bëjnë thirrje për dhunë, por të protestojnë në mënyrë masive. Madje, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për mos dhunë ndaj protestuesve.

Më 9 janar të këtij viti, në Prishtinë është organizuar një protestë masive e thirrur nga partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën. Ndonëse protesta përfundoi e qetë, ajo u shoqëruar me dhunë në rrugët e Prishtinës ndërmjet Policisë së Kosovës dhe një grupi personash.

http://kallxo.com/si-eskaloi-protesta-e-9-janarit/