LVV: Po korrigjohen jashtëligjshëm kufijtë administrativë të Graçanicës

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konferencë për media po pretendon se janë ndryshuar kufijtë administrative të Komunës së Graçanicës.

Zyrtarë të Vetëvendosjes kanë deklaruar sot është marrë një vendim për korrigjim të kufirit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe asaj të Graçanicës, ku kjo e fundit ua jep dy vendbanime me përbërje shqiptare Komunës së Fushë Kosovës.

Vendimi i këtyre dy komunave, sipas Albana Gashi, Kryetare e Qendrës së VV-së në Fushë Kosovë, tha se janë antikushtetuese.

Sipas saj bëhet fjalë për dy vendbanime, Uglar dhe Preoc.

“Këto vendime janë në kundërshtim me ligjin aktual sepse ligji shprehimisht këto zona kadastrale ua njeh komunave përkatëse. Njëjtë edhe Kushtetuta e sheh ndryshimin kufijve përmes ndryshimeve ligjore. Kufijtë administrativ mund të ndryshohen vetëm nga parlamenti i Kosovës”, tha Albana Gashi gjatë konferencës.

Ndërsa deputeti Xhelal Sveçla e lidh këtë vendim të komunave përkatëse me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, këto korrigjime kanë për efekt përbërjen etnike të komunave, pasi që Komuna e Graçanicës “pastrohet” etnikisht nga banorët shqiptarë.

“Çfarëdo do tentimi për ndërrim të përbërjeve etnike apo ndryshimeve territoriale që bëhen në kundërshtim me interesat e popullit, në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, do duhej të ishte e papranueshme si për institucionet ashtu edhe për qytetarët e Kosovës”, tha deputeti Sveçla.

Në lidhje me këtë, deputeti Sveçla tha se për këtë çështje do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

https://kallxo.com/kufijte-etnik-te-komunave-fushe-kosova-kerkon-fshatra-te-gracanices/