LVV Nuk e Sheh Gruan Vetëm si Përqindje

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim mobilizues në kuadër të zgjedhjeve të brendshme.

Temë kryesore e këtij takimi të grave aktiviste ishte barazia gjinore, të cilën sipas tyre Lëvizja Vetëvendosje e ka përmbushur, sidomos kur për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës e ka caktuar Aida Dërgutin.

Sipas Fatmire Mulhaxha-Kollçakut momenti më i mirë për të fuqizuar gruan në politikë janë zgjedhjet.

“Ne jemi gjysma e popullatës. Vetëm atëherë kur e marrim vendin meritor në shoqëri mund të themi që tani e kemi përmbushë misionin”, tha ajo, teksa shtoi se përfaqësimi i gruas në botë nuk është i kënaqshëm.

“Në Kosovë ende kuota është duke na ndihmuar”, tha ajo.

Vetevendosje1

Aida Dërguti tha se vendimmarrja në Vetëvendosje bëhet nga burrat dhe gratë.

Ajo ka falënderuar edhe disa aktiviste të reja, të cilat qysh në fillim iu kishin bashkangjitur VV-së dhe në moshë të re, duke vlerësuar se kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm.

“Ky angazhim është i domosdoshëm kur Republika ndodhet mes dy rrugëve – bërjes apo zhbërjes. E ardhmja ndërtohet sot”, theksoi deputetja Dërguti.

Ndërsa, Nazlije Bala tha se në Lëvizjen Vetëvendosje gruaja nuk shihet vetëm si përqindje. “Nuk është vetëm kuotë e 30 përqindëshit. Gratë dhe vajzat i konsiderojmë pjesë të barabartë të politikës. Të punojmë dhe luftojmë për gratë dhe vajzat. Të luftojmë kundër pabarazive”, ka apeluar ajo.