LVV i cilëson si jokushtetuese emërimet e anëtarëve  të KQZ nga zyra e Presidentit

Lëvizja Vetëvendosje i ka quajtur veprime jokushtetuese, emërimet e anëtarëve  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga zyra e Presidentit.

Ata kanë kërkuar  nga zyra e Presidentit që të konfirmohen të dy anëtarët e KQZ-së që do të përfaqësojnë LVV dhe të dy anëtarët e LDK-së, pa vonesa të mëtejshme .

Deputetja Albulena Haxhiu tha se është e drejtë e subjekteve politike që në bazë të fuqisë të marrë në zgjedhjet e fundit, të dërgojnë anëtarët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Në KQZ duhet t’i ketë dy anëtarë kolicioni PAN, dy anëtarë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe dy anëtarë LAA siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji për zgjedhje, dhe siç e përcaktoi rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje thuhej se përkundër që Presidenca nuk inicioi procedurën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, ata më 17 prill të këtij viti i kanë dorëzuar dy nominimet, Adnan Rrustemin dhe Nazlie Balajn.

“Aktualisht zyra e Presidentit në vend se të procedojë me këto nominime po pengon emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga opozita. Ata në shpërfillje të ligjit kanë njoftuar për betimin tek Presidenti vetëm nga një përfaqësues e jo siç i takon opozitës, nga dy anëtarë”, thuhet tutje në komunikatë.

Adnan Rrustemi tha se kaluar mbi dy muaj prej kur LVV u ka dërguar dy nominimet e saj për anëtarë të KQZ-së.

Sipas tij, presidenca nuk i ka përmbushur përgjegjësitë që ka në konfirmimin e këtyre nominimeve si anëtarë të KQZ-së.

“ Në bazë të ligjit për zgjedhje, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës. Gjersa, rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës është certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, duke reflektuar kështu përbërjen e re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit’’, u shpreh ai.

Lëvizja Vetëvendosje tha se ky proces po përdoret qëllimshëm nga Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ky proces po përdoret qëllimshëm nga Presidenti Thaçi dhe kjo pashmangshëm ndërlidhet edhe me faktin, por jo vetëm, se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-së, kryetar i së cilës ishte Hashim Thaçi, nuk do t’i takojnë dy anëtarë siç ishin deri më tani, por vetëm një, respektivisht dy anëtarë si PAN, ndërsa Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet t’i ketë dy anëtarë në KQZ, sikurse edhe LDK duhet t’i ketë po ashtu dy. Lëvizja VETËVENDOSJE! në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për zgjedhje ka bërë nominimet për anëtarë të KQZ-së, duke ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar”, thuhet tutje në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.