Ismajl Kurteshi - Foto: Facebook

LVV flet për mosnjohjen e diplomave në kolegje për shkak të librave amëz

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar neglizhencën e Ministrisë së Arsimit për mungesën e librave amëz të universiteteve publike dhe private.

KALLXO.com, në shkurt të këtij viti kishte raportuar lidhur me raportin e përgatitur nga zyrtarja e MAShT-it, Kumrije Gagica lidhur me mungesën e librave amëz dhe ndërrimin e pozitës që iu bë asaj menjëherë pas raportit.

Sipas Kurteshit, shqetësimet e ngritura nga zyrtarja Kumrie Gagica, e kanë shtyrë që të kërkoj një raport nga MASHT-i për çështjen e mungesës së librave amëz.

“Një deklaratë e një zyrtareje të ministrisë në shkurt të këtij viti më pat nxitur që ta kërkoj këtë raport nga Ministria e Arsimit që në shkurt të këtij vitit pra para 5 muajve. Ky raport i cili bazuar në letrën e zyrtares ishte shqetësuese sepse ajo tërhiqte vërejtjen se kjo çështje është një alarm i madh për arsimin e lartë në Kosovë dhe shumë e dëmshme për studentët”, tha Kurteshi.

Kurteshi tha se pas shumë muajsh përpjekje ka arritur të sigurojë raportin në të cilin del se një numër i madh i studentëve nuk mund të i’u nostrifikohen diplomat për shkak të mungesës së librave amëz.

“Raporti erdhi dhe bashkë me raportin është ardhë erdhe një shkresë përcjellëse e shefit të kabinetit të ministrit”, tha Kurteshi.

Tutje Kurteshi lexoi edhe një shkresë të shefit të kabinetit të ministrit Bytyqi, Baton Dushi drejtuar komisionit për arsim.

“Më lejoni të ju informoj që gjatë viteve të kaluara në shumë raste kolegjet private poashtu universitetet publike nuk i kanë dorëzuar brenda afatit librat amzë në MAShT, apo nuk i kanë dorëzuar fare dhe si pasojë e kësaj gjendjeje një numër të madh të studentëve nuk mund të ju verifikohen diplomat e studimeve”, citohet të ketë shkruar Dushi.

Tutje Kurteshi në këtë konferencë për media përmendi edhe probleme të tjera me të cilat identifikohen këta libra.

“Siç po shihet ky problem shtrihet edhe në universitetet publike, fatkeqësisht ne nuk kemi ndonjë raport për universitete publike por sigurisht që një raport i tillë ekziston në ministri”, shtoi ai.

Kryetari i Komisionit për Arsim theksoi nevojën e një raporti të tillë të mungesës së librave amëz edhe për universitete publike.

Tutje Kurteshi në këtë konferencë për media përmendi edhe probleme të tjera me të cilat identifikohen këta libra.

“Librat amë të dorëzuara në MASHT ose janë të paprotokolura ose janë të pambyllura, ose të panënshkruara ose janë të nënshkruara mirëpo të pavulosura, por ka edhe të atilla që janë të rregullta”, theksoi ai.

Kumrije Gagica në mars të këtij viti ishte kthyer prapë në punë si udhëheqëse e departamentit të nostrifikimit dhe verifikimit të diplomave brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës.

Gagicës iu ndërrua pozita në shkurt të këtij viti pasi kishte raportuar lidhur me disa shkelje që sipas saj i kanë bërë kolegjet private duke mos dorëzuar dokumentet përkatëse për verifikimin dhe vulosjen e diplomave.

Të njëjtën ditë pas dorëzimit të këtij raporti, kësaj zyrtareje i erdhi vendimi për ndërrimin e pozitës së saj nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm.