Selia e Vetëvendosjes, Foto: BIRN

LVV e konsideron të papranueshme ndërtimin e murit në veri dhe heshtjen e qeverisë

Punimet në ndërtimin e murit në pjesën veriore të urës së Ibrit në Mitrovicë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar të papranueshëm ndërtimin e Murit dhe heshtjen absurde të Qeverisë së Kosovës karshi ndërtimit dhe ‘shtrirjes së vazhdueshme të sovranitetit serb në Kosovë’.

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një njoftimi, ka thënë se dialogu politik me Serbinë pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës përditë e më shumë po ‘betonizon ndarjen dhe legjitimon praninë e Serbisë në Kosovë’.

Sipas LVV-së, dialogu mes Thaçit dhe Vuçiq po bëhet me anë të manipulimeve.

“Dialogu Thaçi-Vuçiq që po zhvillohet këtyre ditëve në Bruksel, përveç se po bazon ecurinë e tij në frymën e jostrategjisë dhe koncesioneve të dëmshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe vetëm për nevoja të Hashim Thaçit, paraprihet nga një seri lëshimesh e manipulimesh, që bazohen në favorimizim e interesave shtetror serbe dhe krijimin e kushteve që këto intereaave të jetësohen me përpikëri në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

LVV thekson se Qeveria e Kosovës, ka dëshmuar përgjatë viteve luftën për karrige dhe pushtet.

“Qeveritë e Kosovës zellin dhe gatishmërinë më të madhe përgjatë viteve e dëshmuan pikërisht kur vinin në rend marrëveshjet e dëmshme me Serbinë, siç është krijimi i Zajednicës e ndarja me murin tek Ura e Ibrit, si mënyrë për të ruajtur karrigën e pushtetit të tyre, në një Republikë që po humbë karakterin unitar”, thuhet në fund të njoftimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron të papranueshëm ndërtimin e Murit dhe heshtjen absurde të Qeverië së Kosovës karshi kësaj dhe shtrirjes së vazhdueshme të sovranitetit serb në Kosovë.