Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

LVV dorëzon kallëzim penal për vendimin e qeverisë për rritje pagash

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritje pagash ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të dërgoj kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje vendimi për rritje pagash është i paligjshëm.

“Ky vendim brutal tregon më së miri katandisjen e Qeverisë Haradinaj që teksa bënë çdo ditë skandale njëkohësisht rrjep edhe buxhetin e varfër të vendit për të shtuar luksin qeveritar karshi qytetarëve që varfërohen gjithnjë e më shumë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se vendimi i paligjshëm për rritje është i paligjshëm duke theksuar se LVV e kundërshton këtë vendim.

“Që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur është marrë ky vendim skandaloz ne e kemi kundërshtuar dhe e kemi cilësuar si të paligjshëm sepse konsiderojmë si të jashtëligjshme që Qeveria me anë të një vendimi të tillë t’ia rritë pagën vetës. Mirëpo, këtë vendim e kemi dërguar në disa institucione të Republikës së Kosovës si Gjykata Kushtetuese, që nxori vendim të padrejtë, por edhe në Agjencionin Kundër Korrupsion, që ka vlerësuar se rritja e pagave përbënë konflikt interesi”, tha Albulena Haxhiu.

Haxhiu tha edhe se vendimi i Qeverisë së Kosovës, përveç Kodit Penal, shkel edhe një numër të madh ligjesh sic janë, ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, ligjin për menaxhimin e financave publike dhe ligjin për buxhetin e vitit 2018.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje ky vendim mbetët i papranueshëm edhe për faktin se, përpos që shkel ligjin, Qeveria e Kosovës ende nuk bërë asnjë hap në drejtim të zhvillimit të vendit ndërkohë që gjendja sociale është jashtëzakonisht e rëndë”, thuhet në fund të njoftimit të LVV-së.