Besa Luzha gjatë dorëzimit të peticionit | Foto: KALLXO.com

Luzhën e Shqetësojnë 'Deputetët e Ftohtë' për Deharin

Duke folur për KALLXO.com pasi sot u refuzua në Kuvend debati për ndriçimin e vdekjes së Astrit Deharit, dërguesja e djeshme e peticionit për këtë çështje në këtë institucion, Besa Luzha tha se “u shqetësua në aspektin njerëzor se si ata njerëz [deputetët që kundërshtuan debatin] mund të jenë kaq të ftohtë”.

Dje Luzha, bashkë me dy aktiviste tjera të shoqërisë civile dërguan në Kuvend peticionin e më shumë se 23 mijë qytetarëve në të cilin kërkohej hetim i pavarur e transparent për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes”, dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë e Punëve të Brendshme dhe seancë e jashtëzakonshme për Deharin në Kuvend.

http://kallxo.com/peticioni-per-astrit-deharin-dorezohet-ne-kuvend/

Por sot kur Lëvizja “Vetëvendosje” kërkoi që të diskutohej për këtë vdekje, duke përmendur peticionin, kryeparlamentari Kadri Veseli për mosthirrje të seancës së jashtëzakonshme u arsyetua me fjalët se peticioni i ka shkuar Komisionit për  të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur e Peticione dhe jo Kryesisë së Kuvendit.

Besa Luzha tha për KALLXO.com se dje shoqëria civile shkresë i ka dërguar edhe Kryesisë së Kuvendit.

“Nuk është e vërtetë ajo që tha Veseli. Ne kemi dërguar dy shkresa me dy palë nënshkrime në mënyrë që komplet origjinali me i shku komisionit për mi verifiku edhe kopja e tyre me i shku kryesisë,” tha Luzha.

Debati i mundshëm në Kuvend për vdekjen e Deharit u kundërshtua nga shefat e grupeve parlamentare të PDK-së e LDK-së, derisa të mos publikohen rezultatet përfundimtare të hetimeve, ndërsa u përkrah nga subjektet opozitare, të cilat lëshuan seancën kur debati nuk ndodhi.

http://kallxo.com/rasti-astrit-deharit-tensionin-serish-kuvendin/

Besa Luzha më tutje tregoi se si duhet të shkojë procedura për seancë të jashtëzakonshme.

“Procedurat janë që komisioni për peticione t’i verifikojë njëherë nënshkrimet a janë në rregull edhe mandej i shkruan shkresë kryesisë edhe mandej e cakton që duhet me mbajt seancë pasi që e sheh se janë bërë mbi 10 mijë nënshkrime,” tha ajo.

E pyetur se peticioni dhe kërkesa për seancë të jashtëzakonshme a janë ndërhyrje në drejtësi, derisa rasti i vdekjes së Deharit po hetohet, Luzha tha se më tepër kanë ndërhyrë në drejtësi autoritetet me deklarata kontradiktore rreth rastit Dehari.

“Në debat nuk besoj se do të flitet për detaje. Institucionet e pavarura kur janë të pavarura nuk ndikohen prej askujt. Edhe pse nuk po bëhet debati në Kuvend, debat është duke u bërë gjithkah. Më shumë se që kanë ndërhyrë këta vetë tu i përzi procedurat, tu I dhënë 100 mijë raporte kontradiktore ne nuk kemi çka ndërhyjmë ma shumë, nëse veç debatojmë,” tha Luzha.

Për hapat të cilat do të merren më tutje për peticionin, Luzha tha se duhet pritur reagimi i komisionit.