Lutfi Haziri mohon të ketë probleme në nëndegën e fshatit Përlepnicë

Kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se procesi i zgjedhjeve të brendshme i parisë së tij po shkon pa ndonjë problem.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se në nëndegën e LDK-së në Përlepnicë të Gjilanit, ka pasur pakënaqësi të disa anëtarëve të kësaj partie.

Por, i pari i LDK-së në këtë komunë tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem.

“Nuk ka pasur asnjë problem në Përlepnicë, deri tash të paktën asnjë problem nuk e kemi pasur”, deklaroi Haziri për KALLXO.com.

Për personat që janë ankuar, Haziri tha se nuk janë anëtar të partisë, ndërsa tha se LDK ka regjistrin e plotë të anëtarëve.

“Ata që janë ankuar janë anëtarë të AAK-së, nuk janë të LDK-së. Anëtarët që nuk janë anëtarë të LDK-së ne nuk i lejojmë të hynë në kuvendet tona, ne e kemi regjistrin e saktë të anëtarësisë së LDK-së në Gjilan, prej vitit 2007”, tha tutje kryetari i Komunës së Gjilanit.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Driton Rexhepi, ish- kryetar i nëndegës së LDK-së në Përlepnicë tha se në zgjedhjet e së dielës në këtë fshat, për kryetaren e nëndegës së re, Shkëndije Avdiu kanë votuar edhe njerëz të partive tjera.

 

https://kallxo.com/pretendimet-e-rexhepit-njerez-te-pdk-vv-e-aak-votuan-per-kryetaren-e-re-te-nendeges-se-ldk-se/

.