Foto: Facebook

Lushtaku: Ta dëgjojmë ShBA-në, të pezullohet taksa

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se Kosova duhet ta dëgjoj ShBA-në dhe ta pezulloj taksën ndaj mallrave serbe.

“Pa asnjë dyshim që duhet ta dëgjojmë Amerikën, të pezullohet taksa”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Ai si mik personal dhe si deputet që ka dhënë votën kësaj Qeverie i ka bërë thirrje kryeministrit Haradinaj që ta pezulloj taksën.

“Kosova, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do t’i vinte radha e as mundësia t’i vinte taksë Serbisë e as nuk do ta festonte 11 Vjetorin e Pavarësisë, themelimin e Ushtrisë dhe plot hapa tjerë në shtetndërtim”, ka thënë deputeti Lushtaku.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të deputetit Mërgim Lushtaku: 

Pa asnjë dyshim që duhet ta dëgjojmë Amerikën, të pezullohet taksa

Si njëri prej përkrahësve kryesor të Kryeministrit, si njëri prej atyre që ia kam dhënë votën dhe besimin kësaj Qeverie, si mik personal e familjar i Kryetarit të AAK-së kërkoj nga Ramush Haradinaj ta pezullojë taksën.

Partia Demokratike e Kosovës e ka dhënë idenë për taksën dhe e ka përkrahur vënien e saj ndaj Serbisë e cila ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve.

Meqë, aleati kryesor i Kosovës, SHBA-ja, po kërkon një sakrificë prej nesh, ne duhet ta dëgjojmë, pavarësisht plot argumenteve që kemi për të vazhduar ta mbajmë taksën.

Kosova, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do t’i vinte radha e as mundësia t’i vënte taksë Serbisë e as nuk do ta festonte 11 Vjetorin e Pavarësisë, themelimin e Ushtrisë dhe plot hapa tjerë në shtetndërtim.

Miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e përhershme dhe askush për asnjë çmim s’guxon ta cenojë.

Sa herë kemi sakrifikuar me kërkesë të SHBA-së i ka rënë mirë Kosovës. Historia dhe realiteti e tregon. Pa SHBA-në s’do të kishim as ushtri.

Ramush Haradinaj përpos sakrificave në luftë ka bërë sakrifica edhe në paqe. Kur i është kërkuar për Kosovë, e ka lënë edhe pozitën e Kryeministrit.

Jam i bindur se vënia e taksës ka ndikuar në sensibilizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që mos të konsumojnë produkte serbe. Besoj se efekti është arritur.