Lushtaku e Selimi: I Dolëm Zot Atdheut

Në këtë gjykatë sot ankesat e tyre i shtjelluan edhe avokati i Lushtakut Arianit Koci dhe avokatët e Selimit, Collen Rohan e Gregory Guy Smith, por folën edhe dy të dënuarit në majin e vitit të kaluar.

“Z. Gjyqtar, ne atdhe tjetër nuk kemi. Unë e kam atdhe Kosovën. Nëse rrezikohet vendi, unë jam i gatshëm me iu përgjigjur vendit tim, jo një herë, jo vetëm unë, por edhe familja ime,” tha Lushtaku.

Edhe Sylejman Selimi foli për patriotizëm.

“Pretendimet e Dëshmitarit A që unë e kam maltretu në këtë objekt [qendrën e ndalimit në Likovc] janë të paqëndrueshme. Është e pavërtetë dhe asnjëherë në jetën time nuk jam marrë me asnjë maltretim të dikujt, veç kam luftuar për vendim tim bashkë me qytetarët e mi, aq sa kemi pasë mundësi për t’i dalë zot atij vendi,” tha Selimi.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së më tutje tha se rrethanat e luftës pamundësonin maltretimet për të cilat u dënua.

“Në kohën që po flasim më 09,10 dhe 11 gusht 1998 çdo fshat i Drenicës ka qenë me forca serbe, çdo fshat ka qenë i bombarduar dhe i shkatërruar, forcat serbe kanë depërtuar në objektin ku pretendohet [se janë kryer maltretimet]. Ky objekt është përdorur nga Shtabi i Përgjithshëm, nga Zona Operative e Drenicës, nga gazetarët, nga shoqatat e ndryshme se ka qenë i hapur”, tha Selimi.

Në anën tjetër, Sami Lushtaku akuzoi gjykatën themelore se me dënimin e shqiptuar ia mori lirinë.

“Ma kanë marrë lirinë që tre vjet- ajo që është me e shtrenjta për secilin prej neve,” tha Lushtaku.

Ai më tutje deklaroi se nuk është kundër gjykimeve, por akuzat duhet të argumentohen.

“Nëse del e vërtetë që unë kam ekzekutu, atëherë unë kërkoj jo dënim 12 vjet, por dënim kapital,” tha Lushtaku.

Edhe avokatët e Lushtakut e Selimit kërkuan nga Gjykata e Apelit që t’i lirojë klientët e tyre.

Më 27 maj 2015 në rastin “Drenica 1” Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet burg për vrasje të kryer në vitin 1998, ndërsa Sylejman Selimi me 6 vjet për keqtrajtime gjatë luftës.