Lushtaku Del, Klina Hyn në Grevë

Ndonëse Sami Lushtaku ka ndërprerë sot grevën me anë të së cilës kërkonte trajtim të specializuar mjekësor, Komuna e Klinës, fqinje me atë të Skenderajt, paralajmëron se nesër do të mbajë grevë dyorëshe.

Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Komunës thuhet se kjo do të jetë një grevë solidarizuese, që do të manifestohet me mosofrimin e asnjë shërbimi për qytetarët e komunës së Klinës.

Gjithnjë sipas njoftimit, të hënën me 25 janar, duke filluar nga ora 8:00 deri në orën 10:00, punëtorët e Komunës do të qëndrojnë në vendet e tyre të punës por nuk do të ofrojnë shërbimet për të cilat ata paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Komuna e Klinës kërkon nga Presidentja e Kosovës, Avokati i Popullit dhe institucionet e tjera që të reagojnë karshi siç thuhet në njoftim “shkeljes së rëndë të të drejtave elementare” të z. Lushtaku.

E kontaktuar nga KALLXO.com, zyrtarja për informim e  Komunës së Klinës, Sanije Gjergji, tha se njoftimin për grevë e kanë bërë gjatë kohës sa Lushtaku ishte në grevë, ndërsa ende nuk e dinë a do të mbajnë nesër grevën apo jo.

“Ne e kemi publikuar njoftimin për hyrjen në grevë gjatë kohës së z. Lushtaku ka qenë në grevë. Tani pasi që ka mbaruar greva, ne ende nuk e dimë nëse do të mbajmë grevën nesër apo jo. Nesër do të merret vendimi, por unë deri më tani nuk kam pranuar njoftim për anulimin e grevës”, tha Gjergji.

Kryetar i Komunës së Klinës është Sokol Bashota, që njëherësh është edhe anëtarë i këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, parti të cilës i përket edhe kreu i Skenderajt, i cili po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Dyz pasi vitin e kaluar është dënuar me 12 vite burgim nën akuzën për krime lufte.

KALLXO.com ka raportuar sot se Sami Lushtaku ka ndërprerë grevën pasi kryetari I trupit gjykues në rastin e tij ka aprovuar kërkesën e kryetarit të Skenderajt për trajtim të specializuar mjekësor në QKUK.

http://kallxo.com/sami-lushtaku-nderpret-greven/

Vitin e kaluar, Lushtaku është dënuar me 12 vite burgim nën akuzën për krime lufte nga një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicë për vrasjen e një personi të panjohur në vitin 1998 në mes të fshatit Galicë dhe Dubovc të Vushtrrisë.

http://kallxo.com/sami-lushtaku-ne-qkuk/