Ulrike Lunacek

Lunacek: Pesë Vendet e BE-së ta Ndalin Bllokadën Ndaj Kosovës

Fillimi i negociatave për anëtarësim e Serbisë në BE dhe progresi i bërë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u mirëprit nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian në dy rezoluta të miratuara të enjten, një për Kosovën e një për Serbinë.

Deputetët gjithashtu theksuan se këto marrëdhënie do të ndihmoheshin nëse të gjitha vendet e BE-së do ta njihnin Kosovën.

Rezoluta për Kosovën u miratua me 37 vota për, 12 kundër dhe 9 abstenime.

Eurodeputetët mirëpritën progresin e bërë në vitin 2015 për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe u bënë thirrje dy vendeve që të vazhdojnë tutje me implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash, duke theksuar që kjo është njëra prej kushteve që Serbia të anëtarësohet në BE.

Për Kosovën foli nënkryetarja e Parlementit Evropian, Ulrike Lunacek, e cila tha që e ardhmja e Kosovës është në BE, ndërsa pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën u bëri thirrje që “ta ndalin bllokadën”.

“Votimi i sotëm sërish dërgon një sinjal të fortë se e ardhmja e Kosovës së pavarur është në Bashkimin Evropian. Eurodeputetët i bënë edhe një herë thirrje BE-së për të përfunduar njohjen zyrtare të Kosovës dhe kërkuan/bënë thirrje nga pesë shteteve anëtare që kanë refuzuar ta njohin Kosovën të ndalin bllokadën e tyre “, tha Lunacek.

Eurodeputjetja shtoi që ky raport është megjithatë nën hijen e veprimeve të njëpasnjëshme të dhunës brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës në muajt e fundit. Ajo apeloi tek të gjithë akterët që të veprojnë për të mirën e Kosovës në mënyrë të përgjegjshme, duke mbështetur një zgjidhje jo të dhunshme dhe daljen nga kjo krizë.

Eurodeputetët theksuan se Marrëveshja e Asoicimit mes BE- Kosovë, e ratifikuar nga Parlamenti Evropian më 21 janar, jep shtysë të fuqishme për reforma dhe hap rrugën për integrimin e Kosovës në BE. Media dhe pavarësia e gjyqësorit, luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformat në tregun e punës janë vetëm disa fusha me interes të madh, thotë rezoluta.

Ndërsa për Serbinë, eurodeputetët thanë që ky shtet ka bërë “përparim substancial” në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Hapja e kapitujve të parë në dhjetor ishte një njohje e merituar në progresin e bërë në muajt e fundit, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Serbia ka ende shumë punë para vetes, por vendi ka siguruar mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në përpjekjet/punën e tyre “, tha raportuesi i PE-së David McAllister.

Rezoluta mbi Serbinë, e miratuar me 50 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime, mirëpret hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ajo i bën thirrje Serbisë të ndjekë reformat e saj sistematike, të sigurojë që puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe mediave është e lirë nga ndikimi politik dhe të shtojë përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.