Lumnije Thaçi takohet me Melanie Trump

Zonja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, e cila po e shoqëron presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump.

Në këtë ngjarje, përveç Zonjës së Parë të ShBA-së, Melania Trump, si dhe bashkëshortes së zëvendëspresidentit amerikan, Karen Pence, Lumnije Thaçi ka takuar edhe homologet nga Austria, Gana, Haiti, Kanadaja, Koreja e Jugut, Madagaskarit, Polonisë, Gjeorgjisë, Izraelit, Nigerisë dhe disa shteteve të tjera.

Zonja e Parë e ShBA-së, Melania Trump, para të pranishmëve ka folur për aktivitetet e saj humanitare dhe fushatën “Be Best”, fushatë kjo për ndërgjegjësimin e opinionit me fokus në mirëqenien e të rinjve dhe avokimin kundër ngacmimit në internet dhe kundër përdorimit të drogës.

Në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zonja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, ka marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, si dhe në Drekën e Tetë Zyrtare Vjetore të Zonjave të Para.