Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Lumezi: Rasti Buzhala, Nuk Ka Elemente të Veprës Penale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është deklaruar sot rreth kërkesës së Ambasadës turke drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës për të marrë masa për ta dënuar gazetarin Berat Buzhala për komentet e tij në “Facebook” në lidhje me tentim-puçin e para disa ditëve në Turqi.

Lumezi me këtë rast tha se nuk ka elemente të veprës penale në atë çka po pretendon Ambasada turke.

“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor dhe nëse e shohim që ka ndonjë element të ndonjë vepre penale sigurisht që ne do të kyçemi, por sa e kam parë unë nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale”, theksoi kryeprokurori, duke shtuar se nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit të merret me “këto probleme të cilat janë shfaqur mes një mediumi, faktikisht një gazetari, dhe Ambasadës turke”.

Këto komente Aleksandër Lumezi i bëri pas një takimi me ministren e re të Drejtësisë, Dhurata Hoxha, gjatë të cilit janë dakorduar të punojnë së bashku në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit e dukurive të tjera.

Përndryshe, agjencia Reuters ka publikuar dje një informacion sipas të cilit Ambasada turke i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës të marrë masa ndaj gazetarit Berat Buzhala lidhur me komentet e tij në “Facebook” rreth tentim-puçit në Turqi.

Sipas kësaj letre, Ambasada turke ia ka “kujtuar” Ministrisë së Jashtme të Kosovës se çfarë parasheh Ligji kosovar për komentet e njerëzve sikur Berat Buzhala  – të dënohen me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Për KALLXO.com Buzhala tha dje se nuk e përjashton mundësinë që ndonjë prokuror kosovar të nisë hetimet kundër tij.

http://kallxo.com/denohet-kerkesa-e-ambasades-turke-lidhur-gazetaret/

Ndërsa, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë“, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se nota verbale e Ambasadës turke në Prishtinë “është e pazakontë dhe e papranueshme dhe njëkohësisht një mbireagim i saj”.