Shtëpia e Aleksandër Lumezit | Foto: KALLXO.com

Lumezi Nuk Është Kryeprokurori i Parë që i Vidhet Shtëpia

Megjithëse nuk i kujtohet data e saktë, ish-kryeprokurori Hilmi Zhtia e mban mend shumë mirë se si e kishte gjetur shtëpinë e tij pasi ajo kishte qenë cak i hajnave.

Ish-kryeprokurori Zhitia thotë se shtëpia e tij në Prishtinë ishte vjedhur në natën e Vitit të Ri.

“Ngjarja ka ndodhur diku në vitin 2009 ose 2010, nuk më kujtohet saktë por e di që ka ndodhur pas pavarësisë. Ngjarja pati ndodhur në natën e Vitit të Ri, diku para orës 12. Përmes dritareve kanë hy dhe ne s’kemi qenë askush në shtëpi por kur jemi kthyer e tërë shtëpia ka qenë në rrëmujë”, tha Zhitia.

Zhitia gjithashtu tregon se rrëmuja e shkaktuar nga hajnat nuk ishte pasoja e vetme.

“Mua më patën vjedhur një revole me leje, një lap-top, pastaj ari. Revolja dhe lap-topi më janë kthyer pasi janë nxënë dhe dënuar hajnat ndërsa ari në vlerë diku mbi 7,000 mijë euro nuk më është kthyer asnjëherë”, tha Zhitia për KALLXO.com

Ish-kreu i prokurorisë në Kosovën e pavarur mban mend se ishin arrestuar tre persona të cilët ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar për veprën e kryer.

Zhitia më pas duke ndërlidhur ngjarjen e tij me atë të kryeprokurorit aktual thotë se beson se asnjëra nga vjedhjet nuk kanë qenë të rastësishme.

http://kallxo.com/shtepia-e-aleksander-lumezit-ne-shenjester-te-hajnave/

“Unë mendoj se vjedhja në shtëpinë time nuk ka qenë e rastësishme. Vjedhje e rastësishme nuk besoj se ka qenë as vjedhja e ndodhur në shtëpinë e prokurorit (Lumezi)”, tha Zhitia për KALLXO.com.

Zhitia që tani ka ndërruar anë por ende merret me punë juridike në rolin e avokatit, thotë se për dallim nga shtëpia e Lumezit, shtëpia e tij nuk ka qenë e ruajtur nga policia e Kosovës.

Ndërsa lidhur me mesazhin që përçon në opinion një vjedhje e tillë, Zhitia thotë se kjo tregon se ky lloj kriminaliteti është shumë i përhapur në Kosovë.

“Edhe shtëpinë time në fshat ma kanë vjedhur mbi tre herë por asnjëherë nuk e kam bërë të madhe sepse se besoj që atje e kanë ditur se shtëpia e kujt ka qenë por ka qenë cak i lehtë pasi nuk ka banuar askush aty”, tha Zhitia.

Shtëpia e kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi ishte cak i hajnave dy ditë më parë, ndërsa ende nuk është arrestuar askush lidhur me këtë vjedhje.

http://kallxo.com/pas-vjedhjes-shtepia-e-lumezit-pajiset-kamera/