Lumezi Kritikon ‘Komoditetin’ e Prokurorive

Vendimi për transferimin e 6 prokurorëve nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda dhe atë për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe caktimi  i 22 pozitave për prokurorë në Prokurorinë Themelore  të Kosovës ishin 2 nga 12 pikat që u diskutuan në mbledhjen që u mbajt sot nën udhëheqjen e kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.

Gjatë kësaj mbledhje u mor vendim që për shkak te numrit të madh të lëndëve që ka Prokurori Armend Hamiti, të mos bëhet transferimi i tij në Departamentin për të Mitur. Ky vendim u mor me propozim të Kryeprokurorit Aleskander Lumezi.

Nga raporti që kishte përgatitur Drejtori i Sekretariatit te KPK-se Lavdim Krasniqi që u zgjodh edhe si Administrator i Rekrutimit dhe Provimit, u mor vendim që Prokurorisë së Prishtinës dhe Ferizajt t’u shtohen 4 prokurorë, Prizrenit 5 për shkak të numrit të madh të lëndëve, Pejës dhe Mitrovicës 3 prokurore, Gjakovës 2 dhe Gjilanit 1.

Prokurorja Dëshira Jusaj propozoi që të rritet numri i prokuroreve në Prokurorinë e Gjakovës në 4 prokurorë, për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe për arsye së 3 prokurorë po kërkojnë transfer në Prokurorinë e Prizrenit sepse janë banorë të kësaj komune. Por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.

Gjithashtu u mor vendim për emërimin e udhëheqësve të Departamenteve në Prokurorinë  Themelore në Prishtinë dhe që të zbritet norma e tyre. Sipas vendimit, nëse ata arrijnë normën 80 për qind, atëherë ajo llogaritet si normë e plotë.

Në mbledhje u diskutua edhe propozimi për rritjen e numrit të udhëheqësve të departamenteve në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, por ky propozim nuk u mbështet nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi i cili tha se “nuk mund t’i jepet komoditet askujt sepse nuk ka efikasitet”.

“Edhe ashtu nuk është së po bëjnë punë efikase. Këtë duhet ta marrin si privilegj sepse është ngritje në detyrë”, tha Lumezi.

Gjithashtu u aprovua edhe Deklarata e Grupit Punës për rastin e kërcënimit të prokurorit Admir Shala.

Dy rastet disiplinore të cilat ishin në rend të ditës, u shqyrtuan pa praninë e mediave. [interaction id=”56d6f6664ab46a01036059cc”]