Lumezi dhe Havolli Koordinohen për Parandalimin e korrupsionit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, kanë mbajtur një takim ku janë dakorduar për koordinimin e përpjekjeve në parandalimin e korrupsionit.

Përmes një njoftimi për media KPK bënë të ditur se në kuadër të veprimeve të përbashkëta, Kryeprokurori Lumezi dhe Drejtori Havolli, kanë diskutuar për zbatimin dhe mbikëqyrjen e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2018 – 2022, për plotësimet dhe ndryshimet e pritura në legjislacionin kundër korrupsionit.

“Lumezi e Havolli kanë diskutuar edhe për aspektet që ndërlidhen me parandalimin dhe eliminimin e shkaqeve të korrupsionit përmes deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik. Po ashtu, ata kanë diskutuar për parandalimin e shfaqjes së situatave të konfliktit të interesit si dhe ngushtimi i hapësirave për korrupsion në prokurimin publik”, bëhet e ditur në njoftimin e KPK-së.

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi ka thënë se prioritetet kryesore i Prokurorit të Shtetit, është ndjekja e suksesshme e veprave penale që ndërlidhen me krim të organizuar dhe kundër ekonomisë.

Lumezi ka theksuar se mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare është vepër penale, dhe se Prokurori i Shtetit, do të ndërmarr ndjekjen penale ndaj atyre që nuk deklarojnë apo bëjnë deklarim të rrejshëm të pasurisë.