Takimi Hoxha- Dostert Foto: MIE

Luksemburgu Ndihmon Integrimin e Kosovës me 30 Milionë Euro

Dhurata Hoxha, ministrja e Integrimit Europian u takua sot me udhëheqësen e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimit në takim u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, liberalizimin e vizave dhe qasjen e Kosovës në programet e BE-së.

Në komunikatë thuhet se projekte prej 22 milionë eurove janë duke u financuar nga Luksemburgu.

“Luksemburgu është duke përkrahur institucionet e Kosovës në arsim, shëndetësi dhe sektorin e ujërave. Janë duke u zbatuar projekte në këta sektorë në vlerë prej 22.5 milion eurove”, sqaron komunikata.

Ky shtet europian, sipas komunikatës, do të ndihmojë Kosovën edhe gjatë periudhës 2017-2020.

“Gjatë periudhës 2017-2020 do të fillojnë edhe projekte të tjera në vlerë 30 milion euro”, tregohet në komunikatë.

Luksemburgu do të ndihmojë ngritjen e kapaciteteve kosovare për zbatimin e nëntë kapitujve të MSA-së të identifikuar si primarë.

Komunikata bën me dije se në takimin me ministren Hoxha, udhëheqësja e Ambasadës së Luksemburgut Anne Dostert nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të shtetit të saj për integrimin europian të Kosovës.