Luftimi i Korrupsionit Sfidë për Vendet e Rajonit

Në konferencën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u fol për mekanizmat institucionalë në luftën kundër korrupsionit.

Anja Osterhaus, përfaqësuese e Transparency International tha se institucione të ndryshme duhet të bashkëpunojnë për të përmirësuar gjendjen në luftimin e korrupsionit.

“Aktorë të ndryshëm duhet të bashkëpunojnë  për të përmirësuar gjendjen në luftimin e korrupsionit dhe është pikërisht kjo është identifikuar nga KDI si një prej problemeve kyçe në Kosovë” , tha Osterhaus.

Arritjet përmes bashkëpunimit i veçoi edhe Farie Aliu e cila tha se shteti që ajo përfaqëson ka arritur shumë në inkuadrimin e integritetit nacional duke bashkëpunuar me shtetet që e praktikojnë këtë koncept.

“Kemi arritur shumë në inkuadrimin e sistemit të integritetit në konceptin nacional duke bashkëpunuar me Serbinë sepse edhe ata e kanë një sistem të tillë,” tha Aliu përfaqësuese e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoni.

Ndërsa përfaqësuesi nga Bosnjë-Hercegovina, Dragan Slipac tha se agjencia që ai përfaqëson merret me parandalimin e korrupsionit, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët janë ata të cilët duhet të merren me zbatimin e ligjit.

“Agjencia Kundër Korrupsionit merret me preventivën e korrupsionit dhe kemi mjaft gjyqtarë dhe prokurorë të cilët duhet të merren me zbatimin e ligjit,” tha Slipac.

Lidhur me punën që duhet të bëjë prokuroria dhe gjyqësia foli edhe Shqipdon Fazliu , prokuror i Kosovës.

Ai tha se prokuroria duhet të vlerësohet për suksesin që arrin në aktakuzat e saj.

“Raportet e prokurorisë flasin për raste të zgjidhura , një term që për botën perëndimore është relativisht i panjohur. Nuk ka raste të zgjidhura,  prokurori duhet të vlerësohet ekskluzivisht nëse aktakuza ka sukses ose jo,” tha Fazliu.

Mirëpo me këtë deklaratë nuk u pajtua gjyqtarja Emine Mustafa. Ajo tha se një prokuror apo gjyqtar duhet të vlerësohet se sa aktakuza ka arritur t’i mbrojë.

“Sa aktakuza ka arritë me i mbrojtë prokurori ,aq më i suksesshëm është ai, po ashtu edhe gjyqtari,” tha  Mustafa nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Javën e kaluar, organizata ndërkombëtare “Trasparency International” në raportin “Indeksi mbi Perceptimet e Korrupsionit” e listoi Kosovën në vendin e 103-të nga 176 shtete  në botë.

http://kallxo.com/kosova-vazhdon-te-bashkejetoje-me-korrupsionin/