'Luftë' Kompetencash, Bërlloku Mbulon Parkun e Klinës
Lufta e kompetencave mes komunës dhe kompanisë së pastrimit ka bërë që i ashtuquajturi “Parku i qytetit”, në lagjen “Dukagjini”, në Klinë, të shndërrohet në deponi masive mbeturinash.
Pamja e re e parkut, që dikur ishte një vend rekreacioni, nuk po u pëlqen qytetarëve.
Ndrec Zefaj thotë se për shkak të bërllokut të mbledhur qe disa muaj nuk po e frekuenton parkun.
“Atje gjendja është shumë e keqe, për arsye se ka shumë mbeturina ilegale, mbeturina të cilat e bëjnë të pamundur që qytetaret apo rinia e Klinës ta frekuentojnë atë pjesë të qytetit”, tha Zefaj.
Sipas këtij qytetari klinas, barra kryesore për gjendjen bie mbi supet e organeve komunale, të cilat sipas tij duhet të reagojnë sa më parë. “Përgjegjës për atë pjesë janë organet kompetente apo organet komunale për pastrimin e mbeturinave. Mendoj që duhet të behet me shumë në atë pjesë”, shtoi Zefaj.
Ndërsa Naim Morina, një tjetër qytetar i Klinës, thekson se bërlloku në park i jep pamje të shëmtuar tërë qytetit.
“Po mendoj që parku i qytetit fatkeqësisht është i mbushur përplot me mbeturina, çka mendoj që është një pasqyrë jo e mirë për qytetin e Klinës që duhet të jetë më i pastër”, tha Morina.
Në anën tjetër, Skënder Mërturi, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thekson se ketë problem disa herë e kanë ngritur në Asamble, mirëpo kërkesat e subjektit të tij kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Ne e kemi përmendur si shqetësim për shkak se ka ardhur si shqetësim i qytetareve të asaj lagje që banojnë aty, por neglizhenca e institucioneve komunale të ekzekutivit, nuk e ka marrë asnjë hap të duhur për heqjen dhe pastrimin e mbeturinave”, theksoi Mërturi.
Në lidhje me gjendjen e parkut të qytetit, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Shërbimeve Publike në Klinë, Gjokë Lleshin, i cili nuk ka pranuar të prononcohet me arsyetimin se heqja e mbeturinave nuk është në kompetencën e Drejtorisë që ai e udhëheqë.
Ndërsa, drejtori i Inspektoriatit në Komunë, Kolë Prenaj, i cili nuk deshi të prononcohet para kamerës, tha se për çështjen konkrete kompetente është Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Kompania Rajonale e Pastrimit “Ambienti”.
Kurse, i kontaktuar përmes telefonit, Tahir Morina, menaxher i “Ambientit” tha se Kompania nuk e ka për obligim t’i largojë mbeturinat ku nuk ka kontejnerë dhe në vendin konkret nuk ka asnjë të tillë.
Megjithëkëtë, Morina premtoi se edhe pse nuk e ka obligim, “Ambienti” do ta pastrojë së shpejti parkun.
Lidhur me konfliktin e kompetencave për çështjen në fjalë, asamblisti Skënder Mërturi thotë se kjo dëshmon paaftësi dhe shmangie nga kompetencat nga organet komunale.
“Po kjo tregon se drejtoritë e Komunës nuk i dinë kompetencat e veta, dhe nga një drejtori çështja shkon te drejtoria tjetër, dhe nuk merren me zgjidhjen e problemit”, shtoi ai.