Loredana Zefi flet për paratë që e arrestuan në Zvicër (VIDEO)

Rep- artistja Loredana Zefi ka mbajtur sot konferencë për media së bashku me dy avokatët e saj, Tom Gashi dhe Artan Sadiku, më lidhje me akuzat që i janë bërë për vjedhje të rrëth 900 mijë frangave nga një çift zviceran.

Në këtë konferencë, Zefi ka pranuar se ka marrë para nga çifti në fjalë por  ka insistuar se ato para nuk janë marrë as me dhunë as me mashtrim.

“Unë jam këtu për shkak se jam duke xhiru spot, nuk kam shqetësime ose arsye pse me shty këtë spot, jemi mundu sepse nuk kemi shqetësime e arsye me shty këtë spot jemi mundu dhe kemi ardh këtu, në bazë të medieve çfarë kam lexu unë them se disa janë ndryshe, por unë nuk kam ardh me sqaru këtë, për mua është me rëndësi me ditë shteti shqiptar dhe i Zvicrës prej asnjë personi nuk janë marrë paratë me dhunë, mashtrime e kërcenim këto pare , shumën nuk e di janë marrë me vullnet”, ka deklaruar Zefi.

Ajo ka treguar se ky rast ka filluar që nga viti 2016, por nuk ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti dhe si janë marrë paratë.

“Ky sen ka filluar në 2016-tën ku unë nuk kam qenë e involvuar dhe nuk kam ditë asgjë për këtë rast. Më kanë tregu që në 2018- tën është mundësia me e mbyll këtë rast, unë nuk e di pse nuk është mbyll ky rast. Unë në 2018-tën kam qenë në gjendje me i ndihmu. Nuk më intereson media, as muzika as asgjë kur është në pyetje familja jem”, ka thënë Zefi.

Rep- artisja në këtë konferencë ka thënë se përkundër raportimeve të mediave se është arrestuar, kjo nuk është e vërtetë pasi që në polici  ka dhënë deklaratë, por nuk është arrestuar.

“Është e vërtetë që kam dhënë deklaratë në polici por unë e mbyllur nuk kam qenë asnjëherë. E kam dhënë deklaratën, prokurori më ka liru dhe kam shku në shtëpinë time. Pala tjetër e ka pranu marrëveshjen dhe e ka bërë me gjithë dëshirën e saj”, ka thënë Zefi.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe bashkëshorti i Loredana Zefit, reperi Mozzik, i cili ka thënë se mediat janë marrë me këtë lajm duke mos e ditur se çfarë po ndodhë.

“Unë jam pro mediave dhe nuk jam person që iu fyej edhe pse shumica prej jush janë mundu me na njollosë moralin që e kemi kriju dhe ata e dinë që e kemi kriju me punë e suksese. Unë Loredanën e kam grua dhe çfarëdo që ndodhë unë jam në përkrahje të saj, por ju kisha lutë medieve mos me u marrë me këtë çështje pasi ju shpërthyet aq shumë pa e ditur se çka ka ndodhë”, ka thënë reperi.

Ndërsa, avokati i Zefit nga Zvicra, Arton Sadiku në këtë konferencë ka treguar se për çfarë shume të parave të vjedhura akuzohet Zefi.

“Loredana nuk ka qenë në paraburgim, ajo ka qenë në marrie pyetjesh pastaj është kthyer në shtëpi. 350 mijë euro është shuma që është akuzuar Loredana”, ka treguar avokati.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe avokati Tom Gashi, i cili ka thënë se Loredana është ftuar të jap deklaratë për një rast i cili ka filluar në vitin 2016.

“Duke e ditur që rasti ka fillua në vitin 2016, ku janë përfshirë edhe disa anëtar të familjes së saj, kjo trego se tri vite më vonë nuk mund të shndërrohet në rast penal. Në vitin 2018 ka pasur tentativa të mbyllen këto kthime të borxheve, dhe Dona është ftuar këtë javë dhe ka dhënë një deklaratë sqaruese”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se personi i cili akuzon Loredanën për mashtrim ka bërë edhe më herët raportime të tilla.

“Zonja në fjalë e cila pretendon se është dëmtuar është një person i cili edhe më herët ka raportuar çështje të tilla të cilat nuk ja kanë pranuar me pretendime se mund të ketë të bëjë më rast civil.”, ka treguar Gashi.

Lajmi për arrestimin e Zefit është bërë i ditur nga gazeta e njohur zvicerane “20 minutes”, e cila ka raportuar se Loredana është arrestuar nën dyshimin se ka shkaktuar dëm material ndaj një çifti zviceran, Valaisian Petra Z (52) dhe Hans * (53).