Lopa e ngordhur ishte trajtuar nga veterinari (FOTO)

KALLXO.com ka siguruar informacione se në skandalin me mishin e prishur në Pejë, një lopë e ngordhur, e cila ishte copëtuar në tentimin për t’u shitur si mish për suxhukë dhe mish për byrekë, ishte trajtuar nga një veterinar.

Burime të afërta me hetimet kanë thënë për KALLXO.com se lopa e ngordhur ishte trajtuar pak ditë më parë nga veterinari.

Po ashtu, burimet  e hapura në Pejë për rastin e mishit të prishur kanë sqaruar se personat e dyshuar se copëtuan lopën e ngordhur merreshin me furnizimin e disa byrektoreve me mish, prodhimin e suxhukut dhe proshutës.

Sipas këtyre informatave, proshuta terej në shtëpinë e të dyshuarit, ndërsa suxhuku në njërën prej mishtoreve të njohura të Pejës.

Burimet e afërta me hetimet sqarojnë se grupi furnizonte edhe byrektoret me mish të bluar.

KALLXO.com ka siguruar fotografi të lopëve të ngordhura, të cilat ishin bërë gati për t’u shitur në tregjet e Pejës.

Fotografitë tregojnë depon ku përpunohej mishi dhe gjendjen në të cilën ndodheshin frigoriferët.