“Lojëra Pa Kufi” në Ditën e Fëmijëve

Në këto lojëra të organizuara nga Ministria e Arsimit morën pjesë nxënësit e institucioneve parashkollore.

I pranishëm në hapjen e këtyre lojërave që zhvillohen çdo tre vjet ishte edhe ministri Arsim Bajrami.

Sulltane Zeneli nga Institucioni Parashkollor “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë tha se fëmijët në përgjithësi janë të informuar për ditën  e tyre, ndërsa ky institucion mundohet t’ua mësojë edhe të drejtat që ata gëzojnë.

Sipas Zenelit, lojërat e organizuara nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me institucionet  parashkollore janë të nivelit të lartë.

“Janë shkathtësi të një niveli të zhvillimit të fëmijëve, për t’i plotësuar të gjitha standardet. Me këto tregojnë shkathtësi, inteligjencë dhe hynë në çdolloj të aktivitetit të tyre,” tha ajo.

Shqipe Haxhaj nga Mitrovica që në këtë aktivitet kishte ardhur për ta shikuar lojën e vajzës së saj, tha se fëmijët janë të informuar për Ditën Ndërkombëtare të tyre nga institucionet parashkollore të cilat i vijojnë.

Për Haxhajn ishte hera  e parë që ndodhej në një organizim të tillë, nga i cili u nda e kënaqur.

“Për mua është hera e parë që vij në një organizim gjithëpërfshirës, jam shumë e kënaqur dhe shumë e entuziazmuar me pikat që i shoh dhe me përgatitjet edhe nga institucioni ynë dhe institucionet e tjera,” tha ajo.