Lodhja Reciproke BE- Ballkan

Një kombinim i lodhjes së zgjerimit nga brenda vendeve të BE-së dhe lodhja e reformave nga shtetet e Ballkanit po ngadalëson zgjerimin e BE-së në rajon, thanë të hënën pjesëmarrësit në një panel diskutimi në Shkup të quajtur “Perspektivat e BE-së për rajonin”.

“Zgjerimi është në gjendje shumë të keqe”, por “Nëse merrni në konsideratë këtë rajon, nuk ka alternativë reale përveç zgjerimit të BE-së”, tha Stefan Lehne, një studiues vizitor në Carnegie Europe në Bruksel dhe ish-drejtor për Ballkanin, Europën Lindore dhe Azinë Qendrore në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së.

Kriza financiare europiane, kërcënimi i jashtëm që vjen nga kriza e refugjatëve dhe referendumi i 23 qershorit të Mbretërisë së Bashkuar kanë krijuar në BE një “krizë të pranimit” për anëtarët e rinj të mundshëm, tha Lehne.

Zgjerimi “vazhdon më ngadalë dhe me shumë më tepër hezitim në të dy palët. Njëra flet për lodhje nga zgjerimi dhe tjetra për një lodhje të reformave si me rastin e Ballkanit. Ky nuk është një proces që sjell kënaqësi për të gjithë”, tha Lehne.

“Çelësi do të jetë në muajt e ardhshëm, ndoshta kur situata e BE-së të jetë pak më e qetë, për të rimenduar strategjinë. Mënyra se si e kemi trajtuar atë deri tani, më tepër si burokratike, nxitur nga Komisioni, nuk është e kënaqshme. Duhet të ketë një lloj tjetër angazhimi… Procesi është i gjallë. Ai nuk është duke u trajtuar mirë, por askush nuk mund ta përballojë koston e braktisjes së tij dhe askush nuk ka alternativa të tjera të besueshme”, shtoi Lehne.

Presidenti i Fondacionit austriak Plani Marshall, Wolfgang Petritsch, i tha panelit se qeveritë e Ballkanit tani duhet të tregojnë më shumë “përgjegjësi” dhe të zbatojnë realisht reformat e BE-së në mënyrë që të bindin kolegët e tyre europianë për përkushtimin në këtë proces.

“Do të varet shumë nga ajo që vendet e Ballkanit mund të kontribuojnë në këtë proces”, tha Petritsch. “Po flas në lidhje me zbatimin e reformave. Nuk jam duke folur për marrjen e vendimeve në parlament… Ky është problemi kryesor në të gjithë rajonin.”

Tim Judah, nga The Economist, i cili iu drejtua panelit përmes videos, tha se perspektiva e Ballkanit për në BE duken të zymta në këtë moment.

“Britania do të zhvillojë të enjten një referendum për të ardhmen e saj brenda BE-së dhe shumica e sondazheve të fundit kanë treguar se duket se Britania do të largohet. Çfarëdo që të ndodhë, në vitet e ardhshme, gjërat do të vështirësohen për Ballkanin kur bëhet fjalë për Bashkimin Europian, pjesërisht për shkak të trashëgimisë së këtij referendumi”, tha ai.

“Nëse Britania vendos të dalë, vite të tëra energji do të shpenzohen për negocimin e daljes, jo për zgjerimin e BE-së,” shtoi Juda. “Ballkani nuk është në radarin e BE-së, nuk ka asnjë ide strategjike çfarë do të bëhet me rajonin dhe ai është lënë pas dore”, vazhdoi Juda.

Drejtoresha rajonale e BIRN Gordana Igriç u përqendrua te “tendencat shqetësuese” në vendet e Ballkanit, pjesërisht për shkak të vakumit mbi anëtarësimin në BE, duke përmendur qeveritë autoritare, një peizazh mediatik të kontrolluar nga pushtetarët dhe flirtin populist me ndjenja pro-ruse në Republikën Srpska, në Serbi, si dhe në një farë mase në Maqedoni.

Fokusi i qeverive është vënë në “përballimin e ‘armiqve të brendshëm’ dhe në fushatat e pista kundër kujtdo që sfidon tendencat autoritare të qeverisë”, paralajmëroi panelin Igriç.

Përfaqësues të shoqërisë civile bënë thirrje për përfshirjen e tyre në procesin e reformës dhe të vendimmarrjes, në vendet e tyre dhe në kuadër të BE-së.

Disa pjesëmarrës nga sektori civil e akuzuan Brukselin se shpesh bën një sy qorr për shumë shkelje të sundimit të ligjit, lirisë së medias dhe korrupsionit në rajon.