Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme | Foto: KALLXO.com

Lobim për Liberalizim

Në një takim me anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi lobim për liberalizim të anëtarëve të këtij komisioni dhe zyrtarëve tjerë kosovarë në shtetet e BE-së që kanë njohur Kosovën dhe institucionet e Bashkimit Evropian.

“Komisioni juaj parlamentar bashkë me kryesinë dhe mua të nisim lobimin në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Të aktivizohen edhe grupet e miqësisë në këto vende dhe të sensibilizohen të gjithë deputetët e Parlamentit Evropian,” tha Veseli.

Lobimin Veseli e kërkoi për t’ua shpjeguar evropianëve çështjen e demarkacionit me Malin e Zi që është njëri nga kushtet për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

“Çfarë aktualisht kemi sfidë është nevoja e qytetarëve për të lëvizur lirshëm, duke vlerësuar se kemi plotësuar shumicën e kushteve, kemi edhe dy kushte, njëri me aspektin ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe tjetri çështja e demarkacionit. Mund të kemi dallime në këtë drejtim, por BE-ja e ka vënë si kusht,” tha Veseli.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi u tërhoq prej Qeverisë së Kosovës nga Kuvendi më 1 shtator nën arsyetimin për presion ndaj deputetëve dhe kërkim të koncesioneve për votim të saj nga një grup parlamentar.

Kjo marrëveshje pas tërheqjes nuk u soll ende për së dyti në Kuvend, ndërsa vetë Kadri Veseli më 14 shtator tha se duhet konsensus për demarkacionin.

http://kallxo.com/veseli-konsensus-per-demarkacionin/

Veseli tha më tutje gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme se Kosova ka përparuar në rrugën e saj evropiane.

“Kosova ka bërë progres të madh në këtë pjesën e integrimit siç është Marrëveshja për Stabilizim-Asociim,” tha Veseli.

Pas fjalëve të Veselit takimi i tij me anëtarë të komisionit u mbyll për medie.

KALLXO.com mësoi se çfarë u fol në takimin e Veselit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme.

Kryetari i komisionit Elmi Reçica tha se të gjithë janë të shqetësuar për liberalizimin e vizave, ndërsa foli për diplomacinë parlamentare.

Pal Lekaj tha se është i vonuar ky takim dhe diplomacia parlamentare.

Sipas Lekajt, diplomacia parlamentare është dashur të jetë më aktive. Ai theksoi se duhet të dalin me një deklaratë të përbashkët që siguron BE-në që shënimi i vijës kufitare të bëhet pa dhunë dhe me një zgjidhje tjetër.

Lekaj tha se koalicioni duhet të mendojë ndryshe për këtë version të demarkacionit.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës për këtë takim thuhet se Veseli me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme u pajtuan që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët ku do t’ua shpjegojnë shteteve dhe institucioneve të BE-së se për demarkacionin me Malin e Zi ka mospajtime të brendshme.

“Në këtë takim u dakordua që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit,” thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Pas hartimit të kësaj deklarate sipas kryeparlamentarit Veseli pritet të nisin vizitat nëpër shtete evropiane.

Në këtë takim munguan anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.