Lluka u përgjigjet deputetëve për Termocentralin ‘Kosova e Re’

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u është përgjigjur deputetëve në lidhje me Ndërmarrjen e Re Energjetike dhe për Termocentralin “Kosova e Re”.

Lluka u zotua për transparencë në lidhje me këto projekt.

“Transparenca do të promovohet krejt kohën, është një projekt që është në vlerësim e sipër. Do të ju mbajmë të informuar për çdo gjë që ndodhë në këtë projekt. Arsyetimi i ndërmarrjes së re energjetike: Qëllimi parimor i saj është mbikëqyrja e ndërtimit të projektit. Pra do të bëjë aprovimin e të gjitha raporteve që vijnë nga një inxhinier i pavarur që do të punësohet nga Qeveria e Kosovës ku do të hapet shumë shpejt tenderi, një inxhinier ndërkombëtar”, tha ministri.

Sipas Llukës, qeveria e Kosovës dhe as Parlamenti nuk e garanton kredinë për Termocentralin “Kosova e Re”.

“Të vetmin garancion shtetëror që e marrim ne është obligimi i ndërmarrjeve publike karshi kompanisë Contour Global. Blerja e energjisë, furnzimi me energji dhe ujë, këtu ndërhyn shteti për garancion. Garancionin e kredive e garanton vetë projekti. Nuk e dimë sa shtrenjtohet rryma. Nuk mund të paragjykojmë për këtë ndikim”, shtoi kreu i MZHE-së.