Lluka mbledh Komitetin Ndërministror për gjendjen në Telekomin e Kosovës

Sot është zhvilluar një takim i Komitetit Ndërministror për Ndërmarrjet Publike, i thirrur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për të diskutuar në lidhje me situatën e “Telekomit të Kosovës”.

Telekomi i Kosovës rishtazi ka pranuar një paralajmërim nga kompania Z Mobile për pagesën  e borxhit të mbi 25 milionë eurosh, nën kërcënimin se do ta përmbarojnë.

Takimin e Komitetit e ka konfirmuar për Kallxo.com, Lulzim Demolli, shefi i kabinetit të ministrit Valdrin Lluka.

“Po është e vërtetë, ne sot kemi mbajtur takimin e Komiteti Ndërministror për Ndërmarrjet Publike. Ka qenë pikë diskutimi gjendja e fundit në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës”, ka thënë Demolli për Kallxo.com.

Demolli më tej ka thënë se takimi i Komitetit Ndërministror për Ndërmarrjet Publike ka qenë i rregullt por që është thirrur me një urgjencë.

“Me një formë është mbajtë një takim i rregullt me një urgjencë për shkak se takimet e Komitetit thirren kur shprehet nevoja, në këtë mbledhje ka pasur edhe një pikë tjetër të rendit të ditës që ka qenë trajtimi i kërkesës së Komunës së Prishtinës, e cila është miratuar gjithashtu”, ka theksuar Lulzim Demolli, shef i kabinetit të ministrit Lluka.

Demolli ka treguar se sot në takim kanë qenë të ftuar Bordi i Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, për të raportuar së bashku me kryeshefin e ndërmarrjes, Bedri Istrefin. Gjithashtu në këtë takim kanë qenë edhe Sindikata e punëtorëve të Telekomit të Kosovës.

“Bordi dhe manaxhmenti e kanë raportuar në lidhje me gjendjen aktuale të Telekomit. Është diskutuar në lidhje me gjendjen financiare, problemet me të cilat po ballafaqohet ndërmarrja dhe sfidat e ndërmarrjes”, është shprehur Demolli.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me kryesuesen e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri – Berisha.Ministri Lluka ka thënë për Kallxo.com se ai ka qenë një një takim koordinues.

“Së pari Ministria, Bordi dhe Qeveria, me u koordinu me aktivitete dhe mandej ato koordinime e aktivitete duhet me ia komuniku grupit punues për qëndrimin shtetëror karshi kësaj pune”, ka thënë Lluka për KALLXO.com.

Sot, Komisioni Hetimor për krizën në Telekomin e Kosovës, ka miratuar listën e personave të cilët pritet t`i intervistojë lidhur me kontratën me kompaninë ‘Z-Mobile’. Deputetët në Komisionin Hetimor Parlamentar votoi sot listën e dëshmitarëve për të cilën u tha se mund të azhurnohet gjatë procesit.

Dje, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me kryeshefin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, për të biseduar në lidhje me situatën në Telekomin e Kosovës.

“Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, përfshirë këtu edhe kontratën me Z Mobile”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në “Facebook”.

Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë “Dardafon.net L.L.C”, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- ‘Z-Mobile’.Vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga një borxh prej 25 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar arbitrazhin. 

Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe ‘Z-Mobile’, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 25 milionësh. Në kohën kur negociatat po vazhdojnë, “Dardafon.net L.L.C” i është drejtuar Telekomit me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh.

Besa Shatri, kryesuese e Bordit të Telekomit thotë se vazhdimi i marrëveshjes po është kusht për të parandaluar falimentimin që do të vinte nëse Telekomi obligohet të paguajë borxhin prej 25 milionë eurove.

“Realisht po na kushtëzon neve që domosdo me hy me këqyr vazhdimin e kontratës si diçka të obligueshme. Përkundër asaj që shumë herë u përfol në media a duhet me u vazhdu a nuk duhet me u vazhdu, na po jemi të obligueshëm pak a shumë në situatën që jemi me hi në negociata për vazhdim dhe riprogramim të borxhit për shkak se nuk ka mundësi me pagu borxhin. Na qet në disfavor total ky borxh”, tha Shatri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar lidhur me opsionet e Telekomit në këtë situatë.

Borxhi kushtëzon Telekomin për vazhdimin e kontratës me biznesin e Blerim Devollit

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Përgjigjja e “Z-Mobile”  

Sipas “Z-Mobile”, gjatë gjithë kohës kanë zhvilluar takime me Telekomin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje miqësore me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit por gjithmonë ka pasur mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.

“Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet në deklaratën e “Z-Mobile”.

“Z-Mobile” ka potencuar se atyre nuk i është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në të ardhmen Telekomi i Kosovës do t’i respektojë detyrimet e veta. 

“Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, theksohet në deklaratën e “Z-Mobile”.

Reagimet për gjendjen e Telekomit të Kosovës  

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se gjendja e Telekomit të Kosovës nuk ka qenë kurrë më e rëndë se tani. Sipas Ymeri, kjo gjendje e ka një histori pasi qeverisjet e Kosovës kanë pasur të njëjtën qasje ndaj kësaj ndërmarrje publike.

“Kontratat me palët e treta, sikur ajo për krijimin e operatorit virtual Z Mobile, si dhe me kompanitë tjera që kryejnë shërbime për Telekomin, qartazi kanë shërbyer si mekanizëm për kanalizimin e të mirave publike në xhepa privat. Ky, për mua është definicioni i korrupsionit – vendimet e zyrtarëve publik të cilat i shërbejnë (vetëm) interesave partikulare”, ka shkruar Ymeri.    

Në kohën kur Telekomit të Kosovës i ka mbetur edhe pak kohë për të paguar borxhin prej 25 milionë euro ndaj “Z-Mobile”, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, njoftoi për dy nisma emergjente “për ta ndalur krimin që ka gjunjëzuar gjyqësorin, prokurorinë dhe qeverinë”.

E para ka të bëjë me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, dhe e dyta ka të bëjë me një nismë ligjore, së cilës nëse ia ngushtojmë kuptimin siç tha Konjufca në konferencë për media, i bie që t’i ndalohet veprimtaria kompanisë Z-Mobile.

Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka reaguar pas paralajmërimit të Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës së do se do ta dërgojnë borxhin prej më shumë se 25 milionë euro në përmbarim. Punëtorët e PTK-së kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq duke shtuar se duhet ditur të mbrohet Telekomi dhe nuk i frikësohen “shantazheve nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”.

“Lidhur me kërcënimin e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, ju bëjmë me dije edhe pronarëve të Z-Mobile por edhe qeverisë se ata do të jenë përgjegjës për kaosin social që mund të shkaktojë ekzekutimi i këtij vendimi. Ne tashmë nuk do të rrijmë durakryq përballë të drejtës sonë për ta mbrojtur kompaninë. Opinioni publik tashmë e di mirë se kush janë shkaktarët e vërtetë të dëmtimit të Telekomit”, thuhet në reagimin e tyre në “Facebook”.