Lluka: Kontrata mes Z-Mobile dhe Telekomit skadon në qershor

Polemika mes vete patën sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në lidhje me Telekomin e Kosovës.

E kjo pasi që ministri Lluka gjatë raportimit të tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik paraqiti vendimin qeveritar për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Konjufca tha se Lluka është më shumë zyrtarë i Z-mobile sesa ministër i MZhE-së.

“Me këtë që po e bëni po tregoni që nuk jemi ministër i Republikës së Kosovës, por më shumë zyrtarë i Z-Mobile. Ju nuk po e shkëputni kontratën me Z-Mobile pasi që keni interesa ende në këtë kompani. Tjetra është marrja e objekteve me qera, këtu nuk kemi pasë një hetim sa i përket keqpërdorimit, sa i përket qerave ku janë vjedhë me miliona euro”, tha ai.

E, Lluka ju përgjigj atij se kontrata mes Z-Mobile dhe Telekomit do skadojë në qershor të këtij viti.

“Sa i përket kontratës me Z-Mobile është e vërtetë që kam punu, por kam punuar si puëntor i thjeshtë, s’kam pasur lidhje me këtë kontratë. Por kjo kontratë do skadojë në qershor të këtij viti. Vendimi parasheh që ne me e pagu Z-Mobile 32 milionë euro, por ne jemi në kushte të vështira”, u shpreh Lluka.

Ndryshe, në këtë mbledhje u vendos që vendimi për privatizimin e Telekomit të Kosovës të shkoj në Kuvend pa përkrahjen e komisionit përkatës.