Lansimi i Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër 4

Vetëm 77 megavat energji e pastër aktualisht prodhohet në Kosovë

Një nga sfidat për institucionet e vendit mbetet tranzicioni në sektorin e energjisë ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në ceremoninë e lansimit të Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB).

“Investimet në fushën energjisë së ripërtritshme përkundër rritjes ende nuk e kanë përmbushur tragetin e paraparë. Sot ne kemi në operim 7 hidrocentrale, 5 impiante e panele solare dhe 2 të erës, me një kapacitet prej rreth 77 megavat. Ndërkaq 22 gjeneratorë janë në proces të ndërtimit me kapacitet rreth 178 megavat”, u shpreh Lluka bazuar në komunikatën e lëshuar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik me rastin e lansimit të Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB).

Kosova vazhdon të ketë mbi 90% të energjisë të prodhuar nga termocentralet, apo deri ne 1,000 megavat. Përveç kësaj Qeveria e Kosovës është duke insistuar në jetësimin e projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, në kohën kur vendet e tjera janë të koncentruara në rritje të investimeve në energji të ripërtritshme dhe eficiencë të energjisë.

Ministri Lluka sipas njoftimit të MZhE-së ka thënë se me financimin e projekteve në fushën e burimeve të ripërtritshme janë përmbushur të gjitha komentet e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim që lidhen me marrëveshjen për shitblerjen e energjisë dhe së shpejti do të jenë të gatshëm të financojnë këto projekte.

Përkundër kësaj, KALLXO.com ka raportuar se BERZH-i ka njoftuar se projektet e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla do t’i kategorizojë si projekte me risk të madh, ashtuqë do t’i shtojë kushtet para financimit të tyre.

“Me rritjen e investimeve në  fushën e burimeve të ripërtritshme (rreth 100 milionë në periudhën afatmesme së bashku me donatorët) përpos që do të kenë efekt në racionalizimin dhe optimizimin e konsumit të energjisë poashtu do të krijohen edhe shume vende te reja të punës nga sektori privat që është një nga qëllimet kryesore të Qeverisë së Kosovës”, citohet të ketë thënë Lluka.

I pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman Christian Heldt, i cili tha se Kosova mund të jetë lider dhe shembull në energji të pastër.

“Në Kosovë ka projekte të energjisë së pastër të cilat janë zhvilluar dhe ne besojmë se Kosova mund të jetë lider në rajon dhe të jetë shembull për vendet e tjera”, u shpreh ai.

Kjo ceremoni u organizua nga Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare (KDWV) në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane përmes Projektit për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, Deutche Gesellschaft fur internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.

https://kallxo.com/banka-boterore-nuk-e-perkrah-termocentralin-kosova-e-re/

.