Arkiv: Ish deputetët e Listës Serbe Igor Simiq dhe Slavko Simiq

Lista Serbe lëshon seancën për FSK: Ligjet kundër Rezolutës 1244

Deputetët e Listës Serbe e kanë lëshuar seancën në të cilën janë duke u diskutuar tri projektligjet me të cilat do të fuqizohet në kompetenca Forca e Sigurisë së Kosovës.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë gjatë seancës se ndryshimi i ligjeve për FSK-në është në kundërshtim me aktet ndërkombëtare për Kosovën.

“Serbët, shqiptarët dhe të gjithë banorët në këtë vend para së gjithash kanë nevojë për zhvillim ekonomik dhe paqe, e jo militarizim, formacione ushtarake, dhe mos e dhëntë Zoti, luftë”, tha Simiq.

“Projektligji për të cilin po flasim sot është në kundërshtim me të gjitha aktet e karakterit ndërkombëtar që janë në fuqi në këtë rajon dhe para së gjithash mendoj në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës, dhe sikur të gjithë e dini, është në kudnërshtim edhe me Kushtetutën”, shtoi ai.

“Edhe përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, këtu mendoj në NATO-n, por edhe përfaqësuesit e SHBA, shumë herë e kanë përsëritur se derisa flasim për ndryshimin e këtyre ligjeve, duhet të respektohet Kushtetuta, pra të kërkohet qëndrimi i serbëve”, tha Simiq.

“Ne do ta lëshojmë seancën sepse kjo nuk i intereson askujt, e veçanërisht serbëve”, tha ai.