Foto: REL

Lista Serbe Del Nga Qeveria e Kosovës

Lista Serbe ka vendosur që t’i largojë anëtarët e saj nga qeveria e Kosovës pas ngjarjeve të djeshme në Mitrovicën e Veriut ku njësiti special i Policisë së Kosovës arrestoi Shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Vendimi për daljen e Listës Serbe nga qeveria e Kosovës është marrë sot gjatë takimit që drejtues të këtij subjekti patën në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, njëherit kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, e konfirmoi vendimin për dalje nga qeveria.

Ai tha se në pesëvjetorin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, muajin e ardhshëm, 1o komunat e Kosovës me shumë serbe do ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, raporton Tanjug.

Rakiq u bëri thirrje serbëve të Kosovës që mos marrin pjesë në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Të mos bëhemi ujk për njëri- tjetrin, mos u bëni ujq për fëmijët tanë, fëmijët serbë”, tha Rakiq.

Lista Serbe përfaqësohet në qeverinë e Kosovës me një Zëvendës kryeministër dhe dy ministra.