Seanca ndaj Senad Ramaj - Gjilan- 15 nentor 2018

Lirohet nga akuza ish-anëtari i bordit të Eco-Higjienës në Gjilan

Senad Ramaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është liruar nga akuzat e Prokurorisë nga Gjykata Themelore e Gjilanit.

Ramaj, akuzohej se në fund të vitit 2012 dhe fillimin e vitit të 2013  si anëtar i bordit të kompanisë “Eco-Higjiena”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Trupi gjykues në përbërje nga gjykatësit Aziz Shaqiri kryetar, Luljeta Shabani e Islam Thaçi anëtar, komunikoi se  në mungesë të provave i akuzuari Senad Ramaj, lirohet nga akuza sepse nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer këtë vepër penale. Kjo aktakuzë është përfaqësuar nga prokurori i shtetit Arben Ismajli.

Pala e dëmtuar në këtë rast kompania Eco-Higjiena udhëzohet në kontest civil për realizimin e kërkesës pasuroro-juridike.

Sipas Prokurorisë  Senad Ramaj akuzohej se me vendimin e falsifikuar ka formuar komisionin për shitjen e aseteve, pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik, ashtu që ka shitur shtatë automjete (kamionetat) dhe kontejnerë – pronë e kompanisë “Eco-Higjiena” të cilat asete janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80 e mijë e 576 euro. Ndërsa të njëjtat automjete-asete dhe kontejner janë shitur për mbeturina hekuri në total në shumën prej 16 mijë e 249, 30 euro. Sipas Prokurorisë këto asete janë shitur edhe pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës reale-ekonomike.

Prokuroria pretendonte se Senad Ramaj në këtë mënyrë të dëmtuarën “Eco Higjiena” pjesën publike e ka dëmtuar në shumën prej 64 mijë e 327, 53 euro.

Ndaj këtij vendimi, palët e pakënaqura mund të paraqesin ankese në  Gjykatë të Apelit në afat prej 15 ditësh, nga momenti i pranimit të këtij vendimi.

 

https://kallxo.com/gjykimi-ndaj-anetarit-bordit-te-eco-higjienes-drejt-fundit-i-akuzuari-kerkon-te-lirohet-nga-akuza/

.