Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Lirohet nga aktakuza drejtori i QKMF-së në Gjakovë

Gjykata e Gjakovës ka hedhur aktakuzën e Prokurorisë ndaj Kujtim Zararit, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën e keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari Shaqir Zika.

Në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës së Gjakovës të datës 2 tetor thuhet se në veprimet e Kujtim Zararit nuk ekziston elementi i veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare që është përfitimi i kundërligjshëm pasuror.

Paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit avokati Teki Bokshi kishte kërkuar nga Gjykata hedhjen e aktakuzës, duke e arsyetuar me faktin se ndaj të mbrojturit të tij nuk ka pasur përfitim apo shkaktim të ndonjë dëmi.

Bokshi kishte thënë se “provat e cekura në aktakuzë kanë të bëjnë me një procedurë juridiko-administrative, sepse detyra e drejtorit e obligon t’i nënshkruajë aktet e QKMF-së”.

Zarari akuzohet se në qershor të vitit të kaluar, në cilësinë e drejtorit të QKMF-së, ka tejkaluar kompetencat e tij kur e ka larguar nga pozita drejtorit të Administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Gjakovë, Musa Gjergjajn.

Por, Kujtim Zarari ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i ngarkohet nga Prokuroria.

https://kallxo.com/del-para-gjyqit-ish-drejtori-i-qkmf-se-ne-gjakove/

Ndërsa, prokurori i çështjes, Agron Matjani, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës së Gjakovë.

Ankesa e përfaqësuesit të aktakuzës ishte atakuar në tri pika: atë të shkeljeve esenciale të dispozitave të KPRK-së, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të KPRKsë.

“Aktakuza përmban prova të mjaftueshme se i pandehuri Kujtim ka tejkaluar kompetencat e tij të punës dhe duke e larguar nga puna i ka shkaktuar dëm të dëmtuarit Musa”, thuhet në arsyetimin e ankesës së Prokurorisë.

Aktakuza thotë se këtë vendim Zarari e ka marrë në kundërshtim me Ligjin për shërbyes civilë të Kosovës.

Sipas aktakuzës, i vetmi organ që mund ta largojë nga puna shefin e Administratës është kryetari i Komunës.

https://kallxo.com/mbrojtja-kundershton-aktakuzen-ne-gjykimin-e-drejtorit-te-qkmf-se-ne-gjakove/

Kallxo.com