Foto: REL/AP
Lirohen të Dyshuarit për Vrasjen e Gazetarit Sllovak
Autoritetet sllovake kanë liruar të shtatë personat e ndaluar lidhur me vrasjen e gazetarit hulumtues, Jan Kuciak.
Policia i ka ndaluar të dyshuarit më 1 mars në hetimet për vrasjen e Kuciak dhe të dashurës së tij Martina Kusnirova, të cilët janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre vikendin e kaluar.
“Gjatë periudhës ligjore prej 48 orësh, policia ka kërkuar dhe kontrolluar për fakte të cilat janë të nevojshme për ngritjen e padisë. Pas kësaj kohe, personat janë liruar nga ndalimi”, ka thënë përmes një deklarate, zëdhënësja e policisë, Denisa Baloghova.
Mijëra persona kanë marshuar në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë dhe në qytete të tjera sllovake, duke kërkuar masa të shpejta në rastin që ka shokuar shtetin dhe ka tronditur qeverinë.
Kuciak ka qenë duke hetuar lidhje mafioze që dyshohet të kenë qenë të lidhura me një biznismen italian në lindje të Sllovakisë.
Artikulli i tij i fundit i papublikuar, është prezantuar më vonë nga mediat sllovake dhe ato ndërkombëtare.
Një nga personat në raportin e Kuciak, në të cilin po hetohej ndonjë abuzim potencial të subvencioneve të Bashkimit Evropian dhe mashtrimeve të tjera, ka pasur lidhje me persona që kanë punuar me zyrën e kryeministrit Robert Fico.
Kjo vrasje ka bërë që të shtohen kërkesat për dorëheqje të zyrtarëve të lartë.
Shtatë të dyshuarit janë ndaluar gjatë bastisjeve në shtatë lokacione të ndryshme në lindje të Sllovakisë.
Policia ka identifikuar të ndaluarit me emra e tyre të parë dhe inicialet.
Disa prej personave të përmendur, kanë dhënë shenja për lidhje me një biznismen italian që ka qenë në fokus të raportit të fundit të gazetarit Kuciak.
Njëri prej tyre është identifikuar si Antonino V.
Bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit në Sllovaki, biznisemeni, Antonino Vadala, ka udhëhequr shkurt në kompani me ndihmësen e Fico-s, Maria Troskova.
Troskova dhe sekretari i Këshillit të Sigurimit të shtetit, që po ashtu është i përmendur në raportin e gazetarit të ndjerë, janë dorëhequr më 28 shkurt, duke pritur rezultatet e hetimit.
Troskova dhe sekretari kanë mohur çdo keqbërje.
Vrasja e gazetarit sllovak ka ndodhur vetëm disa muaj pas vrasjes së gazetare, Daphne Caruana Galizia në një sulm me makinë-bombë në Maltë.
Ajo kishte raportuar paraprakisht për krim dhe korrupsion në ishullin e Mesdheut.