Foto-ilustrim

Lirohen nga akuzat sekretari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-sekretari i MAShT

Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Milot Vokshi, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Minisrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhavit Dakaj, pas rigjykimit janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike lidhur me një marrëveshje mirëkuptimi në mes të MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Teki Bokshi.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva dhe gjykatësit Hamdi Ibrahimi e Naser Foniqi i kanë liruar nga aktakuza dy të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, Dakaj dhe Vokshi akuzohen se duke i tejkaluar kompetencat e tyre, në dhjetor të vitit 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona të tjerë, në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur marrëveshje të mirëkuptimit mes institucioneve ku punonin, përkatësisht mes MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese, me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë nga ana e MAShT-it për shfrytëzimin e një operatori ekonomik për të furnizuar MAShT- in me mall.

Aktakuza sqaron se kontrata në mes këtij operatori ekonomik dhe Gjykatës Kushtetuese ishte lidhur për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë Prokuroria pretendon se buxheti i shtetit të Kosovës është dëmtuar.

Rasti i Xhavit Dakajt dhe Milot Vokshit me vendim të Apelit ishte kthyer në rigjykim.

I akuzuari Dakaj në shkallën e parë ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje me dënim unik në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim.

Për të njëjtat vepra penale, i akuzuari Vokshi ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muajve burgim.

Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Bukurije Borovci.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor, shkrimet mund t’i gjeni në këtë link.