Gjykata Themelore në Gjilan

Lirohen Gjinekologet në Rastin e Arbenita Spahiut

Mexhide Shaqiri, Hamide Zeqiri e Vjollca Kosumi janë liruar nga aktakuza për veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor e mosdhënie të ndihmës mjekësore ndaj tani të ndjerës Arbenita Spahiu, me arsyetimin se nuk janë vërtetuar veprat penale për të cilën akuzoheshin.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, bëri të ditur se vdekja e Arbenita Spahiut ka ardhur si pasojë e lëngut amnial i cili kishte depërtuar në qarkullimin e gjakut, njëjtë siç e kanë vërtetuar edhe ekspertët gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Prokuroria nuk ka paraqitur fakte që do ta vërtetonin përgjegjësinë e të akuzuarve”, tha gjykatësi Maliqi.

Ai theksoi se e ndjera Spahiu nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore, gjë e cila u vërtetua edhe nga një SMS të cilin e kishte dërguar e ndjera në ditën kritike.

“Është fakt se tani e ndjera ka komunikuar me SMS një të afërm me tekstin ‘prej 4:30 m’kanë rrokë dhimtë tash me pritë deri në vizitë’, ku nga përmbajtja e SMS-së nënkuptohet se e ndjera nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore nga dikush”, shtoi Maliqi.

Prokuroria në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj tri mjekeve për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor të mësueses së ndjerë Arbenita Spahiu.

Mësuesja Spahiu kishte vdekur pas komplikimeve gjatë lindjes.

Në bazë të aktakuzës, Mexhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri më 3 mars 2016, akuzoheshin se në cilësinë e personave zyrtarë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, tani të ndjerës Arbenita Spahiu, gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes nga pakujdesia kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes duke i caktuar marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adeakuate për të.

Më tej, Vjollca Kosumi akuzohej se më datën 2 mars 2016 si mjeke kujdestare në kundërshtim me detyrat e saj ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes, tani të ndjerës Spahiu, para aktit të lindjes edhe pse ka qenë e vetëdijshme se mosveprimi i tillë mund të rezultojë me pasoja për shëndetin e pacientes dhe bebes së saj.