Lirohen Dy Deputetë të Vetëvendosjes

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi dhe Fisnik Ismaili, janë liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në një komunikatë të gjykatës thuhet se lirimi i tyre është bërë pasi që prokurori i rastit nuk ka propozuar vazhdimin e masës së sigurisë ndaj këtyre të pandehurve.

Masa e paraburgimit ndaj tyre ishte caktuar në kohëzgjatje deri sot, ndërsa Gjykata Themelore ka njoftuar qendrën e paraburgimit se ndaj tyre nuk është caktuar asnjë masë e sigurisë dhe se të njëjtit duhet të lirohen sot.

Deputeti Ismajl Kurteshi është arrestuar pasi që dyshohej për hedhje të gazit lotsjellës në një seancë të Kuvendit të Kosovës. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë e arrestit shtëpiak, por pak ditë më vonë ishte dërguar në paraburgim për shkak se nuk kishte respektuar masën e sigurisë, duke marrë pjesë në një protest të opozitës në Gjilan.

Edhe Fisnik Ismaili ka qenë në arrest shtëpiak, por ishte dërguar në paraburgim për shkak se nuk kishte respektuar masën e sigurisë.