Pamje nga shfaqja "Grafitet"

Liria e 'Shpronësuar' në Skenë

Repertori i Teatrit Kombëtar do të pasurohet edhe shfaqjen me shfaqjen “Grafitet”, tematika e të cilës zhvillohet në korridorin e një banesë dhe paraqet kohën e pas luftës.

Çdo derë e atij korridori përmban nga një personazh dhe jetën e atij personi e cila bëhet ndoshta edhe pa dashur pjesë e jetës në Kosovë.

Shfaqja është e përqendruar te liria e fituar dhe çfarë ndryshimeve sjell ajo në jetën e këtyre personazheve.

Sipas regjisorit të shfaqjes Fadil Hysaj, ngjarja e cila paraqet kohën kur njerëzit e fitojnë lirinë nuk flet për ata që janë pjesë e politikës.

“Është abuzuar me lirinë, e kanë pronësuar lirinë e njerëzve kasta politike por jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan, ku njerëzit që hyjnë në politikë hyjnë për nevoja të veta, me u ba milioner. Shfaqja nuk flet për ta, rryma e shfaqjes flet për ta”, tha ai.

Sipas tij, shfaqja flet për jetën e njerëzve që nuk janë pjesë e politikës dhe për lirinë.

“Shfaqja flet për njerëzit që nuk janë pjesë e asnjë politike…Drama e atyre njerëzve që s’kanë qenë as me luftën, as për luftën, as kundër luftës dhe në njëfarë mënyrë ata që kanë mendu me u gëzu që liria erdh dhe në fund atë liri dikush e përvetëson e qon në shtëpi, bon çka don me to, e djeg në njëfarë mënyrë”, sqaroi ai.

Pjesë e shfaqjes “ Grafitet” janë aktorët Çun Lajçi, Bislim Muçaj, Sheqerie Buçaj, Drita Krasniqi, Ylber Bardhi, Armend Ismajli, Armend Baloku, Shpejtim Kastrati dhe Adhurim Demi.