Spitali i Pejës (Ilustrim). Foto: Kallxo.com

Lindja e komplikuar: Foshnja vdes në Pejë, nëna në Prishtinë

Një nënë dhe foshnja e saj e sapolindur nuk kanë arritur të mbijetojnë nga një lindje të cilën mjekët po e cilësojnë si të komplikuar, të realizuar mbrëmë në Spitalin Rajonal të Pejës.

KALLXO.com raportoi më herët për vdekjen e një gruaje pas lindjes.

https://kallxo.com/ne-qkuk-vdes-nje-grua-pas-lindjes/

Lindja ishte bërë në spitalin e Pejës, por pas lindjes, ajo ishte transferuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejmë. Megjithatë, ajo kishte vdekur pak minuta pasi ishte sjellë në Prishtinë.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, konfirmoi për KALLXO.com se edhe foshnja ka vdekur gjatë lindjes.

“Spitali ka qenë i pajisur me pajisjet e domosdoshme, personeli e ka trajtuar në mënyrë korrekte, komplikimi ka qenë shumë i rëndë. Ka qenë çarje e mitrës që quhet memece do të thotë pa dhimbje nga momenti i çarjes. Ka pasur gjakderdhje, fëmija ka lindur i vdekur. Është rast jashtëzakonisht i rëndë i komplikuar”, tha ai.

Dreshaj tha se nëna ishte transferuar në Prishtinë pasi që në Pejë janë shtjerrë mundësitë për trajtim të saj.