Limaj: Për Herë të Pestë Konfirmohet Lufta e Pastër

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka organizuar një konferencë për media pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili konfirmon aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte shpallur të pafajshëm ish-komandant “Çelikun” dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit konfirmon drejtësinë, luftën tonë të drejtë“, ka thënë Limaj në lidhje me aktgjykimin e Apelit që është bërë publik dje.

Lidhur me vendimin, Limaj tha se është një inkurajim i madh edhe për ata që janë në kërkim të drejtësisë. “Ne do të jemi gjithmonë në mbështetje të së vërtetës dhe të së drejtës”, tha ai.

“Për 13 vite unë jam persekutuar… Lufta ime është trajtuar, hetuar, gjykuar nga më tepër se 20 gjyqtarë profesionistë, ndërkombëtarë e vendorë, nga Kosova e jashtë saj. Sot unë për herë të 5-të marr konfirmim të drejtësisë për luftën e pastër timen dhe të bashkëluftëtarëve të mi”, theksoi Limaj, duke aluduar në përballjen me drejtësinë që nga viti 2003, kur nga Gjykata e Hagës ndaj tij u ngrit aktakuza e parë për krime lufte që pretendohej se ishin kryer në Llapushnik, e deri në ditën e sotme kur u konfirmua nga Gjykata e Apelit pafajësia e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tij për akuzat që kishin të bënin me ngjarjet e pretenduara të kryera në Kleçkë.

Limaj tha se nga sot për të dhe bashkëpunëtorët e tij nisë një etapë e re, ajo e fitoreve politike.

http://kallxo.com/edhe-apeli-shfajeson-fatmir-limajn-ne-rastin-klecka/